Vaksinimi kundër papilloma virusit (HPV), i cili shkakton kancerin e qafës së mitrës, në Kosovë pritet të nisë në vjeshtën e këtij viti.
Ministria e Shëndetësisë (MSH), në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, ka bërë të ditur se janë porositur 300 vaksina të tilla, të cilat do të sigurohen përmes UNICEF-it.
Sipas autoriteteve shëndetësore, sivjet vaksinimi do të jetë i rekomanduar për vajzat e moshës 11-15 vjeçe, ato që ende nuk e kanë filluar aktivitetin seksual dhe ato me indikacione apo predispozita gjenetike për kancer të qafës së mitrës.
“Ndërsa, vitet vijuese synohet të përfshihet si vaksinë në kuadër të programit të rregullt të vaksinimit në Kosove”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Nga ky institucion kanë folur edhe lidhur me efektivitetin e kësaj vaksine.
Duke përmendur faktin që shumë shtete kanë filluar ta përdorin dhe të dhënat e bazuara në dëshmi shkencore, nga ministria kanë thënë se vaksina kundër virusit HPV, për 90 për qind e ulë rrezikun për kancer të qafës së mitrës.
“Fakti që shumë shtete kanë filluar ta përdorin, flet se të dhënat e bazuara në dëshmi shkencore kane dhënë rezultate pozitive lidhur me sigurinë dhe efektivitetin e kësaj vaksine në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, që sipas të dhënave të ndryshme shkon në rreth 90 për qind të efektivitetit në uljen e rrezikut për kancer të qafës së mitrës”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre për Telegrafin.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinat HPV funksionojnë më mirë nëse administrohen përpara ekspozimit ndaj papilloma virusit.
Andaj, për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon vaksinimin e vajzave të moshës 9 deri në 14 vjeçe, kur, siç thuhet, shumica nuk e kanë filluar ende aktivitetin seksual.
Por, si transmetohet virusi HPV dhe sa është i rrezikshëm?
Human papiloma Virus, ose HPV, është infeksion i cili transmetohet me kontakt fizik.
Ekzistojnë më shumë se 100 variacione të këtij virusi, nga i cili më shumë se 40 transmetohen nëpërmjet rrugëve seksuale.
Sipas të dhënave të Qendrës Amerikane të Kontrollit dhe Preventivës së Sëmundjeve, HPV është infeksioni më i shpeshtë transmetues seksual.