Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, sot bënë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova me rastin e 17-vjetorit të vdekjes së tij.
Presidentja Osmani theksoi se ish-presidenti Rugova i dha zë kërkesave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
“Sot në këtë përvjetor të shkuarjes në amshim të atit themeltar të Republikës së Kosovës, ish-presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, e përkujtojmë me mall njeriun i cili i dha zë kërkesave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Natyrisht që është pikërisht trashëgimia që ai la pas, që na shërbejnë si dritë udhërrëfyese në përpjekjet tona të pandalshme që ta forcojmë shtetin tonë, shtetin që u ndërtua me aq shumë mund e sakrificë të shumë burrave dhe grave të Kosovës. Prandaj, ashtu siç diti presidenti Rugova të ndërtoi miq e aleat, të cilët e mbështetën Kosovën në ditët më të rënda e më të errëta të saj, ashtu do t’i ruajmë këto aleanca edhe në rrugën tonë përpara përderisa Kosova vazhdon të përballet me sfida. I përjetshëm qoftë kujtimi për të, trashëgimia e tij do të rrojë për herë edhe në brezat që vijnë pas. Ndërkaq, dua t’i falënderoj të gjithë aleatët tanë të cilët na janë bashkuar sot për të treguar nderimin edhe të tyre, edhe të shteteve të tyre për presidentin tonë historik”, theksoi Osmani.
Kryeministri Kurti tha se bashkë me Osmanin vendosën lule të freskëta te varri i ish-presidentit Rugova, për të cilin u shpreh se kujtohet për qëndrimin intelektual dhe sjelljen paqësore.
“Bashkë me presidenten Osmani-Sadiu vendosëm lule të freskëta dhe bëmë homazhe këtu në Prishtinë te varri i presidentit Ibrahim Rugova, presidentit të parë të Republikës së parë të Kosovës dhe presidentit të parë të Kosovës së çliruar. 21 janari është ditë e ftohtë dhe është një ditë në të cilën teksa e përkujtojmë presidentin Ibrahim Rugova, e kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, për sjelljen paqësore, për qasjen humaniste, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kombëtarizimin e rezistencës civile”, tha Kurti.
Bashkë me liderët shtetëror, homazhe bënë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, ndër ta edhe ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier.
Gjatë ditës edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtor nderuan ish-presidentin Rugova. Abdixhiku u shpreh se Rugova ishte ati themeltar i pavarësisë së Kosovës.
Ish-presidenti Ibrahim Rugova, pas një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë më 21 janar 2006.