Kryetari i Istogut, Ilir Ferati ka bërë të ditur se sot në takimin e përbashkët të Shtabit Emergjent Komunal, ku është diskutuar lidhur me situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të shumta të shiut, është konstatuar se gjendja aktuale është e menaxhueshme.
Ai ka potencuar se tetë komisionet e formuara sot do të dalin në terren që të bëjnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomitë familjare, biznese dhe në bujqësi.
“Bashkë do e kalojmë këtë sfidë!”, ka shkruar Ferati në Facebook.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, sot ka informuar se situata e përgjithshme hidrometeorologjike në pjesën më të madhe të vendit ditëve të fundit është përkeqësuar si pasojë e reshjeve intensive të shiut, sidomos në disa pjesë të vendit.
Sipas IHMK-së, situata më e rënduar është në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të vendit.
Instituti ka bërë të ditur se reshjet e shiut me intensitet të ndryshur, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri më 25 janar, duke u bazar në situatën e vështirërsuar hidrologjike, ku lumenjtë kanë dalur prej shtetërve të tyre, duke shkaktuar përmbytje.
Ndryshe, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, dje janë shkaktuar vërshime në disa komuna të Kosovës, si Pejë, Mitrovicë, Istog, Podujevë, Skenderaj.