Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka thënë se heshtja e presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, kundrejt deklarimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për ish-politikanin serb Oliver Ivanoviq, është pajtim me qëndrim skandaloz.
Deliu këtë e ka deklaruar në ‘Facebook’ teksa ka thënë se sot është dita që Osmani të dalë e t’i mbrojë viktimat e qytetit të saj, Mitrovicës, shkruan Demokracia.com.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon qasjen e zakonshme në aktivitetin e saj politik, duke heshtur për temat në të cilat zhytet Albin Kurti”, deklaron ajo.
“Presidente, sot është dita që të dalësh dhe të mbrosh viktimat e qytetit tënd. Presidente, sot është dita që të tregosh se a pajtohesh me Albin Kurtin i cili “dëshiron ta mbajë gjallë kujtimin për Oliver Ivanoviqin”, që dikur edhe vetë e quante kriminel lufte? Presidente, qoftë edhe si bashkëvendase, si mitrovicase, se “nuk do ta harrosh kurrë natën e tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000″”, vijon ndër të tjera deputetja e PDK-së.
“Heshtja jote do të thotë se pajtohesh me qëndrimin skandaloz të kryeministrit Kurti”, përfundon Deliu.