Presidentja Vjosa Osmani, sot ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të akademikes Edi Shukriu.
Osmani ka potencuar se ndarja nga jeta e Edi Shukriut është humbje e thellë për dijet e për shkencën shqiptare.
Presidentja është shprehur se në fushën e arkeologjisë e të historisë, Shukriu ka lënë gjurmë të pashlyeshme, duke shtuar se ajo i ka vënë themelet e dijeve arkeologjike në Kosovë.
“Me dhembje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të profesoreshë Edi Shukriut, anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, profesoreshë shumëvjeçare e Universitetit të Prishtinës, si dhe veprimtare e shquar politike dhe inistiucionale. Ndarja nga jeta e Edi Shukriut është humbje e thellë për dijet e për shkencën shqiptare, pasi ajo ishte një emër i çmuar në fushën e arkeologjisë e të historisë, fusha në të cilat ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Duke qenë ndër arkeologet e para shqiptare, ajo i vuri themelet e dijeve arkeologjike në Kosovë, së cilave ua kushtoi pothuajse tërë jetën, duke themeluar e drejtuar institucione e projekte të ndryshme kërkimore e shkencore. Njeri me vokacion të theksuar poetik, prof. Shukriu është e njohur edhe në fushën e letërsisë. Ajo na i ka lënë trashëgim disa vepra poetike. Në këto çaste të vështira, bashkëndjej me familjen, miqtë e kolegët e saj. I përjetshëm kujtimi për Edin!”, është bërë e ditur në telegramin e ngushëllimit të Osmanit.
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), sot ka njoftuar ka ndërruar jetë akademike Edi Shukriu, një emër i njohur dhe i çmuar në fushën e arkeologjisë, të historisë, të letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare.
Varrimi i të ndjerës do të bëhet më 18 janar 2023, ora 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.
Mbledhja komemorative do të mbahet në mjediset e ASHAK-ut në orën 11:00.
Homazhet do të bëhen nga ora 12:00-13:00.