Përvjetori i pestë i vrasjes së politikanit opozitar serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq është shënuar mëngjesin e së hënës para zyrave të partisë së tij, Iniciativa qytetare Liria, Demokracia dhe Drejtësia (SDP) në Mitrovicën e Veriut, ku edhe është vrarë.
Në mëngjesin e 16 janarit, miqtë dhe admiruesit e Ivanoviqit kanë ndezur qirinj në orën 08:15, kur është kryer atentati ndaj tij.
Ai është vrarë me gjashtë plumba në shpinë, para objektit të partisë së tij.
E pranishme ka qenë edhe gruaja e Ivanoviqit, Marina.
Në emër të familjes dhe miqve ka folur Dejan Nedelkoviq, i cili ka falënderuar të pranishmit, por nuk ka pranuar të deklarohet, duke thënë se përgjatë pesë vjetëve ka thënë gjithçka për vrasjen.
Ai ka bërë thirrje për një minutë heshtje në shenjë respekti, por edhe për të treguar simbolikisht heshtje për rastin e kësaj vrasjeje.
“Arsyeja e minutës së heshtjes është për të vënë në dukje ata që kanë heshtur për pesë vjet dhe dinë shumë më tepër se ne, si për vrasjen, ashtu edhe për autorët, por edhe për komunitetin ndërkombëtar, i cili ka heshtur për pesë vjet më pas. E gjithë kjo është e turpshme”, ka thënë Nedelkoviq.
Edhe pas pesë vjetëve të vrasjes së Ivanoviqit, ende askush nuk është dënuar për këtë rast.
Tre dëshmitarë tashmë janë tërhequr nga dhënia e dëshmisë për këtë rast.
Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, më 19 tetor ka arrestuar M.M. nga komuniteti serb nën dyshimin se ai ishte anëtar i një “grupi të organizuar kriminal” të lidhur me vrasjen e politikanit të opozitës serbe, Oliver Ivanoviq.
Deri më tani, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza për vrasjen, në të cilat nuk ka pasur ndryshime të mëdha thelbësore.
Procesi gjyqësor po vazhdon ende.
Aktakuza janë ngritur kundër Nedelko Spasojeviqit (oficer policie), Marko Roshiqit (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviqit (sekretare e të ndjerit Oliver Ivanoviq), Dragisha Markoviqit (oficer policie), Zharko Jovanoviqit (oficer policie) dhe Rade Basaras (oficer policie).
Me vrasjen po ashtu janë të lidhur edhe Zhelko Bojiq (shef i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiq (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviq (biznesmen).
Ndaj këtyre të fundit nuk është ngritur aktakuzë pasi ata kanë qenë në arrati kur Prokuroria Speciale e Kosovës e ka ngritur aktakuzën e parë.
Në aktakuzë përmenden Radoiçiq dhe Vesellinoviq si “udhëheqës të një grupi kriminal” që ka planifikuar vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviq.
Më 2019, Kosova ka lëshuar një urdhërarrest për Radoiçiqin nën dyshimin se ka pasur lidhje me vrasjen e Ivanoviqit.
Mirëpo, ky fletarrest për Radoiçiqin është tërhequr në mars të vitit 2021 pa ndonjë shpjegim, dhe që nga ajo kohë ai është parë disa herë në veri të Kosovës.
Të gjithë të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre./REL