Ish ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati, mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për kërkesën e tij lidhur me lirimin nga detyra e shefit të misionit diplomatik në Slloveni.
Në një pronocim për lajmi.net Kastrati tregoi se edhe pse vendimin nuk e ka marrë, ende ai të njëjtin nuk e sheh si befasi sepse sipas tij e ka ditur qysh më herët që ka pasur shkelje ligjore në të.
“Vendimin nuk e kam marrë akoma as unë e as avokati im, mirëpo e di prej fillimit që ka pasur shkelje ligjore edhe e kam pritur një vendim të tillë nuk e kam befasi”, tha ai për lajmi.net.
Sipas tij, presidentja dhe këshilltarët e saj e kanë shkelur Kushtetutën.
“Sigurisht është bërë padrejtësi se thjeshtë nuk ju kanë përmbajtë ligjit të Republikës së Kosovës e kanë shkel Kushtetutën. Është e preçizume me ligj kur mundem një ambasador me u ndrru me iu shkurtu mandati”, u shpreh ai.
I pyetur se cila ishte arsyeja që presidentja Osmani e ka shkarkuar nga detyra, ai tha se janë qëndrimet politike.
Sipas tij, presidentja nuk ka pasur këshilltarë të mirë duke përfshirë dhe Ministrën e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, për ta udhëzuar se kur mundet një diplomat të tërhiqet nga pozita e tij.
“Qëndrimet politike, nuk e ka shikuar sepse nuk ka pas këshilltar të mirë për me udhëzuar e aq më pak edhe ministrja Gërvalla, e cila ka qëndruar njëkohësisht dhe me udhëzu se në ligjin për diplomatë është e preçizume se kur mundet një diplomat me u tërhek nga pozicioni i vet”, tha ai.
Kastrati shton nuk ka dilemë se do të dalë fitimtar në fund dhe nuk pret vendim tjetër.
“Sigurisht nuk kam dilemë për arsye së ka shkelje edhe sipas arsyetimit të Kushtetueses shihet qartë që është bërë shkelje. Andaj nuk pres ndonjë vendim tjetër”, tha Kastrati.
Kurse i pyetur se cfarë duhet të bëhet me presidentën nëse ai del fitues ai tha se nuk do të merret me të ngase sipas tij janë organet relevante që merren me atë cështje.
Sipas Kastratit, lënda nuk ka përfunduar sic duhet edhe pse ai tha se ka tentuar për ta argumentuar që I është bërë një e padrejtë.
“Janë organet që mirren me ato probleme ata le të marrin vendime qëndrime nuk dua as të mirren me ato sende sepse unë e di që vetëm mu ka cenuar një e drejtë pa të drejtë nëpërmjet Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit dhe Supremës ku kam tentuar për me argumentuar por ata janë mbështetur në vendimin e parë të Gjykatës Themelore edhe nuk e kanë përfunduar lëndën sic duhet”, tha ai.
Në fund, ai tha se presidetja Osmani dhe ministria Gërvalla kanë gabuar duke menduar se ata që i shkarkojnë nuk do ishin ankuar dhe nuk dinë se cfarë të drejte kanë.
Kastrati potencoi se presidentja Osmani ka punuar me teke, inate dhe qëndrime politike.
“Kështu që Kushtetuesja i ka argumentuar gjërat edhe jam shumë mirënjohës për institucionin e Gjykatës Kushtetuese dhe shpresoj që cdo herë do të punojë me argumente në pajtueshmëri me ligj dhe Kushtetutën edhe gjërat ngadalë bijnë në vend. Edhe pse presidentja e zonja Gërvalla kanë menduar që ata që i shkarkojnë…ne si ambasandorë, ata nuk ankohen ose nuk dinë se cilën të drejtë e kanë por kanë gabuar sepse e drejta është në anën tonë edhe po dëshiroj që me qenë një shtet thjeshtë ligjor me zbatuar Kushtetuë dhe ligj. E jo mos me zbatu edhe me punu me teke, inate dhe qëndrime politike”, përfundoi ai.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shqyrtuar kërkesën e Avni Kastratit lidhur me lirimin nga detyra e ambasadorit të Kosovës në Slloveni, përmes së cilës ka kërkuar të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të 22 shtatorit 2021.
Kastrati bashkë me disa ambasadorë të tjerë ishin liruar nga detyra nëpërmjet një dekreti të presidentes së Kosovës.
Kundër dekretit të presidentes, Kastrati kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kjo e fundit e kishte hedhur poshtë padinë si të palejuar, ndër tjerash, me arsyetimin se sipas dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative, një dekret i presidentes nuk mund të jetë objekt vlerësimi në procedurën e konfliktit administrativ, por i njëjti mund t’i nënshtrohet vetëm procedurës së vlerësimit të kushtetutshmërisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi i Gjykatës Themelore ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.