Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se Asociacionin që e kërkon SHBA-ja nga Kosova, nuk është asociacioni që e pretendon Serbia.
Ajo ka thënë se dialogu duhet të trajtohet me prioritet, të kapitalizohet vëmendja amerikane për ta arritur një zgjidhje përfundimtare sa më shpejt me Serbinë, duke forcuar subjektivitetin ndërkombëtar, por ka shtuar ajo, ky forcim nuk duhet të bëhet me çmimin e defunksionalizimit të shtetit përbrenda.
“Siç dihet tashmë, Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë dialogun Kosovë – Serbi si çështje urgjente të sigurisë evropiane, dhe status kuoja do të rrezikojë edhe më shumë brishtësinë e kësaj sigurie – sidomos pas fillimit të luftës në Ukrainë, zhvillimeve kriminale në veriun e Republikës së Kosovës, dhe kërcënimit të hapur të Serbisë për luftë kundër Kosovës”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sipas Haradinaj-Stubllës, institucionet e Kosovës bashkë me partitë që e kanë nënshkruar Asociacionin në të kaluarën duhet të diskutojnë për qëndrim të përbashkët “të Kosovës kundër kërkesës serbomadhe për implementim të një asociacioni monoetnik, me kompetenca ekzekutive – të tipit të Republikës serbe në Bosnje”.
“Qeveria e Kosovës dhe klasa politike në përgjithësi, do të duhej të jetë e shkathët në shpërfaqjen reale të pretendimeve të Serbisë, sepse asociacionin që e kërkon SHBA prej Kosovës nuk është asociacioni që në realitet e pretendon Serbia. Serbia nuk e dëshiron një asociacion që është i barazvlefshëm me Asociacionin ekzistues të Komunave të Kosovës – pa dallime etnike – por Serbia dëshiron një Ahtisaari Plus – kompetenca shtesë këtyre ekzistueseve për serbët e Kosovës që ndërhyjnë mes pushteteve lokale dhe qendrore – që krijojnë një pushtet të ndërmjetëm – gjë që nuk e lejon e as nuk e parasheh Kushtetuta aktuale e Republikës së Kosovës”.
Haradinaj-Stublla ka theksuar se Kosova assesi nuk duhet të lejojë një derë të pasme për Serbinë përmes asociacionit njëentik që pastaj përmes asaj dere Serbia e Rusia të kontrollojnë e destabilizojnë sa herë të duan Kosovën.
“Serbët veçse kanë të drejta e privilegje të zgjeruara me Kushtetutën aktuale dhe me ligjet e Kosovës, të cilat rrallë se do të mund t’i gjeni në kushtetutat më të avancuara të botës demokratike. Ndërsa vetëm pak kilometra matanë kufirit me Serbinë, brenda saj pra, këto të drejta të shqiptarëve në Serbi jo që nuk njihen e respektohen, por shkelen në mënyrën më flagrante”.
Ajo ka shtuar tutje se Kosova nuk duhet të mbetet peng i gabimeve të kaluara.
“Fundja, edhe në marrëveshje të Brukselit Serbia është pajtuar që Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të ketë fjalën e fundit rreth një asociacioni potencial, andaj Kosova assesi të mos lejojë të mbetet peng i gabimeve të së kaluarës”.