Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Prizren në natën e tretë të vitit të ri. Në lokalin ‘Kobra City’ ka nisur një sherr i cili dyshohet se ka çuar në vrasjen e një 31-vjeçari me origjinë nga Kukësi.
I dyshuar për krimin e rëndë është pronari i lokalit Dibran Haxhaj i njohur ndryshe si Kobra.E për gjashtë personat e dyshuar si të involvuar në këtë rast, Prokuroria ka marrë vendim që të dërgohen 48 orë në mbajtje.
“Me urdhët të prokurorit është marrë vendim që të gjashtë të dyshuarit të dërgohen në mbajtje prej 48-orëve”, tha togeri i policisë Shqyri Bytyqi.
Dibran Hoxhaj apo siç e njohin “Kobra” ka dosje të pasur në Policinë e Kosovës. Lokali i tij “Kobra City” që ndodhet në Prizren, ka pasur raste kur është bastisur nga Policia e Inspektorati Komunal. Pronari dhe lokali janë të njohur në publik për “të keq”, prandaj raportimet e sotme për vrasjen e një të riu dhe plagosjen e një tjetri ku dyshohet se i përfshirë është Dibran Hoxha nuk ishin të befasishme.
Ky personazh ka deklaruar se kryer 189 vepra penale, ndërsa më e rënda i ndodhi sot. Ai dyshohet se gjuajti në drejtim të veturës në të cilën ndodheshin dy myshterinj të tij. Njëri mbeti i vrarë, tjetri i plagosur.
“Kobra City-t”, sot sërish ia vuri drynin shteti. Për shkak të një konflikti aty, në orët e mëngjesit të së martës u vra një 31-vjeçar nga Kukësi dhe u plagos një 27-vjeçar. Dëshmitarët e intervistuar kanë deklaruar se si motiv i mundshëm i vrasjes dhe plagosjes janë 400 euro.
Nazan Shero, prokurorja e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, tha se sa janë të sakta këto deklarata mbetet për t’u vërtetuar pasi rasti është në hetim e sipër.
Ndërsa, Dibran Hoxhaj ka shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtë në heshtje.
“Sa janë të sakta nuk mundemi me ditë se jemi në hetim e sipër dhe për momentin jam duke ndërmarrë veprime hetimore. Janë deklaratat e dëshmitarëve që flitet për 400 euro mirëpo ai (Dibran Hoxhaj) është mbrojtë në heshtje”, tha prokurorja Shero për Gazetën Express.
Sipas policisë së Shqipërisë, në momentin që shtetasit nga Kukësi po largoheshin me automjet, dyshohet se Dibran Hoxhaj ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.