Policia e Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Express gjuajtjen me armë zjarri në lokalin “Kobra City” në dalje të Pirzrenit, sot në orën 04:10. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, policia shqiptare ka njoftuar vdekjen e 31-vjeçarit me iniacialet V. C., dhe plagosjen e R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi. Të njëjtit po barteshin me automjet nga shtetasi A.B., në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit.
Sipas informacioneve të para 31-vjeçari vdiq rrugës për në spital, teksa i plagosuri po qëndron nën kujdesin e mjekëve.
Zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha për Gazetën Express se policia është duke u marrë me rastin.
“Kemi pranuar informatën rreth orës 04:10 për gjuajtje me armë zjarri në “Kobra City” në dalje të Prizrenit. Një person ka vdekur dhe një është plagosur. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke u marrë me rastin”.
I pyetur nëse ka ndonjë person të dyshuar nga Kosova lidhur me këtë ngjarje, ai tha se organet e rendit janë duke e hetuar rastin.
“Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre”, raportohet në Shqipëri.
Sipas policisë së Shqipërisë, dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokal me disa shtetas kosovarë.
Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë në bashkëpunim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.