65 është numri i zyrtarëve të lartë të cilët nuk e kanë deklaruar apo e kanë deklaruar me vonës pasurinë e tyre.
Përderisa janë mbi 200 raste të dërguara në Prokurori nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK).
Drejtori i kësaj Agjencie, Yll Buleshkaj, tha se 55 zyrtarë të lartë nuk e kanë deklaruar pasurinë këtë vit, ndërsa dhjetë të tjerë pasurinë e kanë deklaruar me vonesë.
Buleshkaj tha se duke përfshirë edhe rastet e transferuara nga viti i kaluar janë mbi 200 raste që janë dërguar në prokurori për mos deklarim të pasurisë.
“Janë rreth 65 zyrtarë të lartë të cilët nuk e kanë deklaruar apo e kanë deklaruar me vonesë pasurinë këtë vit, do të thotë janë rreth dhjetë që fillimisht nuk e kanë deklaruar, por edhe shumica nga ta e kanë deklaruar më vonë por prapë se prapë janë kualifikuar për ti dërguar në prokurori si vepër penale”.
“Duke përfshirë edhe rastet të cilat janë transferuar nga viti i kaluar i kemi rreth 200 raste të cilat i kemi dërguar në Prokurori, për mos deklarimi të saktë apo mosdeklarim në kohë të pasurisë. Ndërsa sa i përket konflikti të interesit kemi një numër shumë më të vogël të këtyre rasteve janë më duket dy, tre raste sepse shumica nga këto raste mund të evitohen, ligji e mundëson këtë do të thotë brenda 30 dite nga gjendja e konfliktit të interesit zyrtari i lartë mund të tërhiqet nga ajo gjendje”, tha ai.
Sa i përket rasteve të konflikti të interesit, Buleshkaj tha se janë më shumë se 200 raste të konfliktit të interesit që janë shqyrtuar nga kjo Agjenci gjatë viti 2022.
“Gjatë këtij viti i kemi shqyrtuar më shumë se 200 raste të konfliktit të interesit, mbi 200 raste kemi kthyer përgjigje apo opinionet tona kurdo që është kërkuar, më duket që janë rreth 250 raste, i kemi edhe mbi 20 në shqyrtim. Është një numër rekord i trajtimit të këtyre rasteve nga agjencia, derisa vitin e kaluar ky numër ka qenë përgjysmë më i vogël dhe këtë vit kemi trajtuar më shumë raste. Po besojmë që ky nuk është vetëm që aktualisht po ka më shumë vendim në konflikt të interesit, po ka më shumë vetëdijesim që para se të marrin ndonjë vendim të lypin një opinion nga ne që vendimi të mos jetë në konflikt interesi”, tha ai.
I pari i kësaj Agjencie foli edhe për Byronë për konfiskimin e pasurisë, për çka tha se me këtë institucion do të përmbyllet “mozaik” i institucioneve kundër korrupsion.
Ai tha se ky institucion pritet që të jetë i ndarë nga APK-ja, por që do të ketë bashkëpunime ndërmjet tyre.
“Nuk mund të flas shumë për një institucion i cili pritet që të jetë i ndarë nga agjencia, besoj që me këtë byronë do të përmbyllet e ashtuquajturi mozaik i institucioneve kundër korrupsion. Përderisa ne kemi elementin e parandalimit, konfiskimi civil i pasurisë së pa justifikueshme do të jetë ajo ana tjetër të cilën ne nuk mund ta ushtrojmë. Tash flasim shumë me supozime sepse nuk e dimë as formën se si do të organizohet, të që e dimë është se do ta ndajmë gjithë arkivin tonë më ta në mënyrë që të behët një studim i kësaj arkive dhe të gjinden ndonjë pasuri e cila është akumuluar në formë të pajustifikueshme”.
Buleshkaj tha se beson që subjekt i hetimit të kësaj Byroje do të jenë po ashtu të gjithë ish-zyrtarët e lartë, pa marrë parasysh ku jetojnë ata, raporton EO.
“Po besoj që subjekt i kësaj byroje do të jenë gjithë ish-zyrtarët e lartë, pa marr parasysh se ku jetojnë ata, ata janë të lidhur me shtetësi me Kosovën kështu që po besoj që edhe dikush që nuk jetojnë në Kosovë për sa kohë është shtetas i Kosovës do të mund të jetë subjekt i kësaj Byroje”.
“Nuk e di, këtë koncept ligji e parasheh konfiskimin e tyre. Po çka është e vërtet me ligjin për Agjencinë ne nenin e kodit penal ku parashihen shkeljet aty e kemi një paragraf ku thuhet që pasuria e pa raportuar duhet ti konfiskohet, do të thotë edhe me ligjin aktual edhe me kodin penal aktual, i cili fatkeqësisht nuk është futur as një herë në funksion, qoftë nga prokuroria apo gjyqësori, edhe pse kemi aktgjykime dënuese për këtë zyrtarë që nuk e kanë deklaruar pasurinë, as një herë nuk i’u është konfiskuar pasuria e pa deklaruar. Do të thotë në qoftë se kalon ai ligj kështu siç është t’i konfiskohet kjo pasuri edhe pse me siguri që do të këtë edhe mundësi akimimi, deri te faza finale do të ketë edhe shqyrtim shkallor të këtyre vendimeve”, tha ai.