Ish-zyrtarit policor serb Dejan Pantiq i është zëvendësuar masa e sigurisë, nga ajo e paraburgimit në arrest shtëpiak.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale, i është zëvendësuar masa e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak. Gjykata ka aprovuar me këtë rast kërkesën e Prokurorisë”, ka thënë Gashi.
Dejan Pantiq u arrestua me 10 dhjetor nën dyshimet se ka organizuar sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Që nga ajo kohë në shenjë pakënaqësie për arrestimin e tij, grupe të serbëve lokalë kanë vendosur barrikada në rrugët që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut.
Për shkak të ngritjes së barrikadave, autoritetet kanë konfirmuar se Pantiq po mbahet në një stacion policor afër Jarinjës.
Lista Serbe kishte paraqitur disa kushte për largimin e barrikadave, dhe njëra ndër to ka thënë se është edhe lirimi i serbëve të arrestuar.
Zyrtarët serbë më herët kanë thënë se autoritetet në Kosovë nuk i kanë ofruar trajtimin e duhur shëndetësor Pantiqit, por ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte deklaruar më 22 dhejtor se ai gëzon shëndet të mirë.