Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave, aplikimin për anëtarësim në Bashkim Evropian, Projektligjin për Buxhetin, etj.
Kurti theksoi se kjo javë ishte e jashtëzakonshme pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në BE, ndërsa institucionet e BE-së ranë dakord që më së largu qytetarëve të Kosovës tu jepet liberalizimi i vizave më 1 janar 2024.
“Po e mbajmë këtë mbledhje të radhës në një orar të pazakontë, por kjo javë nuk është aspak e zakontë, është e jashtëzakonshme sepse patëm ditën historike më 15 dhjetor kur dorëzua aplikimin tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Kurti.
Ai më tej tha se “me këtë orientimit evropian i dhamë cak, perspektivës evropiane i dhamë përgjigje, ndërsa marrëdhënieve me BE-në i dhamë kapitull të ri”, tha kreu i ekzekutivit.
Kurti më tej ritheksoi se një ditë më herët Parlamenti, Këshilli e Komisioni Evropian ranë dakord për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën më së largu më 1 janar 2024.
“E kuptojmë që rruga jonë integruese bazohet në meritat tona, por integrimi do të thotë edhe njohje, edhe pranim edhe ndërvarësi.
Krahas meritës sonë njohja nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk na kanë njohur do të lehtësonte përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, tha ai.
Kurti përmendi edhe miratimin e Projektligjit për Buxhetin në vlerë prej 3,2 miliardë euro, ndërsa falënderoi deputetët për miratimin e tij.
Ai tha se me këtë Projektligj do të ketë më shumë buxhet për arsimin, shëndetësinë, ushtrinë, bujqësinë, ekonominë e kulturën.