Gazetari i të përditshmes gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, i cili disa ditë më parë realizoi një intervistë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ka reaguar sërish.
Ai thotë se ka mbetur i habitur se si ky i fundit ka pranuar se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka informacione më shumë sesa kryeministri i vendit për situatën në Veri.
“Politikanët zakonisht preferojnë të gënjejnë sesa të thonë sinqerisht se dinë ose nuk dinë diçka”, ka shkruar Mertens në rrjetin e tij social në Twitter.
“Unë personalisht u habita që z. Kurti pranoi se ai dinte më pak për një zhvillim të caktuar në vendin e tij sesa ambasadori i SHBA-së, pasi politikanët zakonisht preferojnë të gënjejnë sesa të thonë sinqerisht se dinë (ose nuk dinin) diçka”.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i ka thënë Gazetës Online Reporteri.net se Kurti ka theksuar se Hovenier ka ndarë me të disa informacione shtesë që s’i kanë pasur më herët në dispozicion.
“Kryeministri Kurti të shtunën ka dhënë një intervistë të gjatë për FAZ, ku ndër të tjerash tjerash ke theksuar se ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier, ka ndarë me të disa informacione shtesë të cilat nuk i kemi pasur më herët në dispozicion”, ka deklaruar Kryeziu.
I pyetur për largimin e kësaj pjese nga intervista e plotë, Kryeziu ka thënë se kjo i takon autorit dhe redaksisë së gazetës për të vendosur se cilat pjesë nga intervista do të përdoren.
“I takon autorit dhe redaksisë së gazetës në fjalë për vendosur në fund se cilat pjesë nga intervista përdoren dhe cilat jo në versionin përfundimtar të intervistës”, ka deklaruar Kryeziu për Reporteri.net.