Të reshurat e shiut, e më pas vërshimet, dëmtuan edhe kulturat bujqësore.
Dëmi, me theks të veçantë u bë ndaj kulturës së grurit, i cili është mbjellë gjatë muajit tetor.
Kryetari i federatës sindikale të bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, në Sytë 7 në Klan Kosova tha se gruri aktualisht është me rrënjë të dobëta, i sapo mbirë, dhe kjo ka bërë që ai të dëmtohet nga vërshimet. Sipas tij, në atë arë gruri, ku qëndron uji mbi 5 ditë, dëmi i tij është shumë i madh, pasi fillon kalbëzimi i rrënjës.
Megjithatë, Tahiri në Sytë 7 në Klan Kosova, beson se në këtë kohë, qëndrimi i ujit në ara nuk ishte i gjatë, e kësisoj nuk ka pasur dëme më shumë se 20-30 përqind të të mbjellave. Por, ende nuk i kanë informatat e sakta të dëmeve, njofton Klankosova.tv.
Ndonëse, ai kërkon kompensim të shpejt nga institucionet relevante. Tahiri tha se ka kuptuar që Komunat, ku pati më shumë vërshime, i kanë formuar komisionet emergjente, ku do analizohen edhe dëmet në bujqësi.