Liderët e partive parlamentare janë takuar në Parlamentin e Malit të Zi për të nisur dialogun për zhbllokimin e institucioneve dhe zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, raportoi Al Jazeera Balkans, përcjell Reporteri.net.
Kriza e stërzgjatur politike kulmoi në fillim të muajit kur shumica parlamentare votoi për ndryshimin e Ligjit për Presidentin.
Me ato ndryshime synonin t’i hiqnin presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, autoritetin kushtetues për të caktuar mandatin për përbërjen e Qeverisë.
Gjukanoviç refuzoi ta nënshkruante atë ligj dhe Partia e tij Demokratike e Socialistëve, pretendon se shumica parlamentare kreu grusht shteti kushtetues.
Deri më tani, përfaqësuesit e partive politike nuk kanë arritur të bien dakord për përbërjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila aktualisht ka vetëm tre anëtarë nga shtatë, raporton gazeta online Reporteri.net.
Votimi i ri, ku duhet të konfirmohen gjyqtarët e tjerë, është caktuar për 28 nëntor dhe gjyqtarët duhet të konfirmohen nga tre të pestat e përfaqësuesve në Kuvend.