Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj e Besian Mustafa do t’i drejtohen Gjyaktës Kushtetuese lidhur me një nga ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës, në seancën e 9 nëntorit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes një komunikate për media, nga LDK bëhet e ditur se bëhet fjalë për Ligjin për masat e përkohëshme të produkteve themelore në raste të vecanta të destabilizimit në treg.
Njoftimi i plotë:
“Sot (e Mërkurë), më datë 16 nëntor 2022, në orën 14:30, Deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së z.Driton Selmanaj dhe z.Besian Mustafa, dorëzojnë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin nr.08/L-179 për masat e përkohëshme të produkteve themelore në raste të vecanta të destabilizimit në treg. Deputetët në fjalë do të flasin para medieve tek hyrja e Gjykatës Kushtetuese.
Në seancën e 9 nëntorit në Kuvendin e Kosovës është miratuar Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Ky ligj i draftuar dhe propozuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në bashkëpunim me akterët përkatës, do të zbatohet ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomik që tregtojnë produkte themelore në vend.
Qëllimi kryesor i këtij ligji është eliminimi i efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve si dhe mungesës së produkteve themelore në treg, përcjell Buletini Ekonomik.
Në bazë të draftit final të prezantuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, produktet themelore në kuadër të këtij ligji janë: drithërat, miell gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, lëndët e drurit për djegie.
Në këtë ligj përfshihen masat e përkohshme mbrojtëse që do të ndërmerren në raste të veçanta të destabilizimit në treg, shkaqet e caktimit të këtyre masave, mbikëqyrja për zbatimin e këtij ligji, si dhe sanksionet ndaj çdo shkelësi të këtyre masave që janë përfshirë në këtë ligj.