Një person në Breznicë të Kamenicës është plagosur me armë zjarri, ndërsa nëntë të tjerë janë arrestuar nga Policia e Kosovës në orët e para të së martës.
Diçka të tillë e ka bërë të ditur vetë Policia e Kosovës nëpërmjet raportit 24-orësh, teksa kanë njoftuar se viktima është jashtë rrezikut për jetë.
“Stacioni Policor Kamenicë ka pranuar një informatë se një person shqiptar shtetas i Kosovës është plagosur me armë zjarri dhe i njëjti nga një familjar i tij është transportuar për në spitalin Rajonal të Gjilanit. Njësitet Policore me të marrë informatën kanë ndërmarrë të gjitha veprimet policore ku kanë arritur që të lokalizojnë dhe të arrestojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës nëntë persona të dyshuar shtetas të Kosovës të cilët dyshohet se janë të përfshirë në këtë incident”, njofton PK-ja.
“Viktima është trajtuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit dhe sipas mjekut kujdestarë është jashtë rrezikut për jetë. Njësiti Rajonal i Hetimeve në koordinim të plotë me Prokurorin e Shteti janë duke i hetuar rrethanat se si ka ndodhur rasti”, thuhet më tej në njoftimin e policisë. /