Pas pjesëmarrjes në hapjen e Forumit Ekonomik “Global Connect 2022”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, takoi ministren për Çështjet e Ekonomisë, Punës dhe Banimit të landit Baden-Württemberg, Dr. Nicole Hoffmeister- Kraut.
Në një takim shumë pozitiv, kryeministri Kurti foli për raportet e mira ndërmjet dy vendeve dhe popujve si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit, me theks te ato në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare. Në vitin 2021 eksportet e Kosovës për në Baden-Württemberg janë rritur për 1/3 në krahasim me vitin pararendës, që flet për shtim të bashkëpunimit tregtar. Ai tha se me zhvillimet e fundit pozitive në vend, Republika e Kosovës paraqet mundësi të mirë për kompanitë gjermane dhe Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve ITP në Prizren është një hapësirë e përshtatshme për këtë qëllim.
Ministrja Hoffmeister- Kraut i shprehu mirëseardhje kryeministrit Kurti dhe e falënderoi për vizitën. Ajo tha se ndjehet e lumtur që Kosova ka një shtand impresiv në forumin “Global Connect 2022”. Sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, ministrja Hoffmeister- Kraut u shpreh se ato janë të forta dhe se është e bindur që mund të thellohen edhe më tej. Ajo tha se Gjermania ka mirëpritur rreshtimin e Kosovës me partnerët e saj evropian në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Duke e përgëzuar kryeministrin Kurti për reformat e ndërmarra dhe për indikatorët pozitivë ekonomikë, ministrja Hoffmeister- Kraut dha mbështetjen e plotë të saj dhe landit që përfaqëson për punën e Qeverisë. Ajo shtoi se planifikon që në të ardhmen e afërt ta vizitojë Kosovën me qëllim fuqizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh.