Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka publikuar pamjet se si do të duket Lokaliteti Arkeologjik në sheshin e Lidhjes së Prizrenit, hapësirë kjo që ai e quajti tejet të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.
Çeku siguroi se projekti i prezantimit të këtij lokaliteti është përgatitur me qasje gjithpërfshirëse, teksa shton se prezantimi final i këtij projekti do të jetë reflektim i një zgjidhjeje të përbahskët.
Postimi i tij i plotë:
Kështu do të duket së shpejti Lokaliteti Arkeologjik në sheshin e Lidhjes së Prizrenit.
Në këtë hapësirë tejet të rëndësishme të trashëgimisë kulturore tashmë kanë filluar punët dhe vendi po bëhet gati për pjesën e parë të konservimit.
Projekti i prezantimit të këtij lokaliteti është përgatitur me qasje gjithëpërfshirëse, ku përmes analizave të zonës dhe diskutimeve publike janë përfshirë banorët, komuniteti i biznesit dhe komuniteti profesionist, në mënyrë që prezantimi final i Lokalitetit Arkeologjik të jetë reflektim i një zgjidhjeje të përbashkët.
Prezantimi dhe promovimi i Lokalitetit Arkeologjik si një lokalitet me rëndësi historike, shkencore, kulturore dhe edukative, synon që të ngrisë vetëdijen për rëndësinë e këtij lokaliteti si dhe të promovojë vlerat kulturore nëpërmjet zhvillimit të turizmit kulturor.