Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve F.Gj., dhe A.D., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Fajde”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri F.Gj., nga data 23.11.2020 në vazhdimësi deri më datë 02.02.2022, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Sh.H., në atë mënyrë që pasi i dëmtuari ishte në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për shërimin e djalit të sëmurë, duke e njohur të pandehurin ngase me të njëjtin kanë jetuar më parë në fqinjësi, shkon tek i pandehuri F.Gj., nga i cili merr 1,000 (njëmijë) euro të holla, ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 200 (dyqind) euro kamata mujore, i dëmtuari për 14 (katërmbëdhjetë) muaj rresht vazhdon të paguaj nga 200 euro kamata mujore duke i dhënë në total 2,800 (dymijëetetëqind) euro të pandehurit, mirëpo më datë 24.01.2022 kur nuk arrin t’ i jap të hollat, i pandehuri e paralajmëron se përveç 1000 (njëmijë) eurove të borxhit dhe 200 eurove në emër të kamatës së muajit janar 2022, për çdo vonesë i dëmtuari duhet të paguaj kamata ditore nga 20 (njëzetë) euro, nga të cilat 1,000 (njëmijë) euro i dëmtuari i jep më datë 02.02.2022, me ç’rast i pandehuri me paratë e marra arrestohet në flagrancë.
Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale “Fajdeja”.
“Po ashtu, i pandehuri F.Gj., përdor forcën dhe kanosjen serioze në mënyrë permanente ndaj të dëmtuarit Sh.H., për ta detyruar këtë të fundit të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij dhe atë duke e sulmuar fizikisht dhe duke e kanosur me qëllim të realizimit të përfitimit. Kur i dëmtuari i përgjigjet se nuk ka arritë t’i siguroj paratë dhe kërkon kohë shtesë, i njëjti fillon të bërtasë dhe ta shajë të dëmtuarin, më pas ia përplasë telefonin për toke dhe e godet me grusht në pjesën e djathtë ballore dhe gjithashtu me dorezë të briskut e godet në kokë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprat penale “Detyrimi” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” sipas KPRK-së”,thuhet në njoftimin për media.
Ndërsa, i pandehuri A.D., me dashje dhe me qëllim ndihmon në përfitim të kundërligjshëm të pasurisë personin tjetër – të pandehurin F.Gj., kur i pandehuri F.Gj., nuk ishte prezent, atëherë i dëmtuari Sh.H., i paguante kamatat tek i pandehuri A.D., në mënyrë që ky i fundit të hollat më pas ia dërgonte të pandehurit F.Gj. Me këto veprime, ka kryer veprën penale, “Fajdeja në ndihmë” sipas KPRK-së.
Lidhur me këtë rast, prokurori i rastit ka kërkuar nga Gjykata të urdhërojë kryerësit e veprave penale për të paguar shumë të barasvlershme për dëmin ndaj të dëmtuarit nga paratë e sekuestruara, ose nga të njëjtit të konfiskohen të hollat e sekuestruara dhe me të njëjtat të kompensohet viktima Sh.H., dhe atë të hollat si më poshtë:
Një kartëmonedhë letre 200 (dyqind) euro;
Pesëmbëdhjetë kartëmonedha letre nga 100 (njëqind) euro;
Një kartëmonedhë letre 20 (njëzet) franga zvicerane;
Një kartëmonedhë letre 10 (dhjetë) franga zvicerane;
Dy monedha metali 1×20 cent dhe 1×10 cent.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit