Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti derisa iu ka drejtuar Forumit të Paqes në Paris tha se Kosova ka filluar normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërkaq edhe pas 11 vjetësh, raportet nuk janë më të mira sesa para një dekade dhe sipas tij ka një arsye të qartë për këtë.
Në këtë diskutim në Forumin për Paqe në Paris, kreu qeveritar tha se ndonëse BE-ja po përpiqet fort të ndërmjetësojë për normalizim marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëdhëniet mes dy shteteve nuk janë normale.
“Duhet t’i normalizojmë marrëdhëniet dhe dialogu në Bruksel është dialog për statusin e marrëdhënieve, por jo për statusin e Kosovës. Bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve e ky normalizim nënkupton marrëveshje përfundimtare, ligjërisht obligative, me njohje të ndërsjellë në qendër të saj”.
Kurti tha se është përkushtuar të jetë konstruktiv në këtë proces, porse sipas tij Serbia duhet të distancohet edhe nga e kaluara e Millosheviqit dhe e tashmja e Putinit.
“Sepse kjo do të na ndihmonte shumë për të arritur marrëveshjen, për t’i dhënë drejtësi viktimave dhe për të arritur atë marrëveshjen e pajtimit për gjeneratat që do të vijnë”, tha ndër të tjera Kurti.
Kryeministri tha se Serbia vazhdon të jetë forca hegjemone rajonale në Ballkan derisa ka treguar se si shteti serb në kufi me Kosovën ka ndërtuar 48 baza ushtarake. Ndonëse këtë fakt e quajti rrezik të madh për Kosovën tha se janë shumë vigjilent, por asnjëherë të frikësuar.
“Rreth kufijve të Kosovës me Serbinë në të ashtuquajtura zona të sigurisë së terrenit që është 5 kilometra si vijë që prej ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 ekzistojnë 48 baza të veprimit në pararojë me qindra mijëra ushtar, 28 prej të cilave baza ushtarake janë xhandarmëri e të tjerat ushtarake. Është rrezik i madh për vendin tonë. Jemi shumë vigjilent, por asnjëherë të frikësuar”, tha kryeministri.
Ai tha se Kosova nuk është në NATO, por e ka NATO-n brenda saj.
“Historia e Kosovës e ajo e NATO-s janë të ndërthururura, por edhe e ardhmja e të dyjave është e ndërthurur. Duam t’i bashkohemi Partneritetit për Paqe e sa më shpejtë të jetë e mundur të integrohemi në NATO. Pasi të kemi fituar njohjen nga pesëshja evropiane menjëherë do ta shfrytëzojmë këtë që t’i bashkohem NATO-s në rrugën më të shkurtër të mundshme”, tha Kurti derisa ka treguar për milionat që kanë ndarë për të forcuar Ushtrinë e Kosovës.
Shefi i ekzekutivit në kryeqendrën franceze foli edhe për pasojat që ka sjellë lufta e Rusisë në Ukrainë edhe për Kosovën.
Ai tha se inflacioni është rreth 12 për qind, por tha se përkundër kësaj projektojnë sërish 4 për qind rritje të bruto- produktit vendor.
“Pra po arrijmë t’ia dalim me sukses, së paku deri tash. Sepse çmimi i energjisë është rritur e pastaj edhe çmimet tjera kanë pasuar atë”.
Tha se Kosova ka një masë të madhe të mallrave të importuara e në këtë mënyrë importohet edhe shkalla e inflacionit nga jashtë derisa ka treguar për pakot financiare të qeverisë në ndihmë qytetarëve atë të ringjalljes ekonomike dhe rimëkëmbjes.