Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj të auditimit për komunën e Prishtinës për vitin 2021, ka hasur në disa parregullësi te pjesa e faturimit për tatimin në pronë. Kështu, kjo komunë kishte lejuar zbritjet prej 15 mijë eurove për vendbanime parësore për dy e më shumë prona në pronësi të vetëm një tatimpaguesi.
Sipas Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, një tatimpagues mund të përfitojë zbritje deri në 15 mijë euro nga vlera e vlerësuar e njësisë së objektit, vetëm për një vendbanim, më saktësisht vetëm për atë që e deklaron si vendbanim parësor.
Në këtë raport të ZKA-së, konstatohet se në dy raste, komuna e Prishtinës kishte lejuar zbritjet prej 15,000 eurove për vendbanime parësore, për dy apo më shumë prona në pronësi të vetëm një tatimpaguesi, gjë që kishte ndikuar në nënvlerësim të tatimit në pronë.
Përveç kësaj, bazuar në të dhënat e raportit nga Protax, është konstatuar se edhe në 123 prona/objekte tjera në Prishtinë, është aplikuar njësoj zbritje e parregullt në emër të vendbanimit parësor prej 15,000€.
Kjo situatë, si pasojë e dobësive të komunës për verifikim të pronave, kishte shkaktuar nënvlerësim të tatimit në pronë për rreth 11 mijë e 300 euro.
“Kjo ka ndodhur si rezultat i mos vlerësimit (ri-anketimit) gjatë fazës se inspektimit nga ana e anketuesve në teren, si dhe vështirësitë /gabimet që kanë rrjedhur nga sistemi Protax. Departamenti i tatimit në pronë në MF ishte njoftuar nga zyrtarët komunal për gabimet”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Auditori vlerëson se mos aplikimi i drejtë i zbritjeve për vendbanimet parësore ka ndikuar dhe do të ndikojë edhe në të ardhmen në nënvlerësim apo mbivlerësim të tatimit në pronë, përkatësisht lehtëson dhe ngarkon barrën tatimore për tatimpaguesit.
Si rrjedhojë e kësaj, komuna në fjalë mund të jetë subjekt i padive nga tatimpaguesit, për shkak të ngarkesave të parregullta tatimore.
Rekomandohet që kryetari i komunës të sigurohet se procesi i inspektimit/verifikimit të pronave po bëhet në përputhje me kërkesat ligjore, dhe se politikat e komunikimit me tatimpaguesit janë duke funksionuar me qëllim të përditësimit të bazës me të dhëna të sakta sa i përket aplikimit/mos aplikimit të zbritjeve të lejuar sipas kërkesave ligjore.