Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sot është tejkaluar numri i 900 fletëqortimeve ndaj serbëve të cilët nuk kanë ri-regjistruar automjetet e tyre, saktësisht nuk kanë konvertuar targat e këtyre automjeteve.
Kryeministri Kurti theksoi edhe njëherë se pas datës 21 nëntor, do të kalohet në gjoba në drejtim të atyre që nuk konvertojnë këto targa.
“Sot është dita kur është tejkaluar numri i 900 qortimeve, që iu janë dhënë qytetarëve serbë që kanë targa ilegale, pas datës 21 nëntorit duhet të kalohet te gjobat”, ka thënë Kurti.
Duhet përkujtuar që është pikërisht situata e krijuar së fundi në veri, që thuhet se rrodhi nga çështja e targave.
Qeveria e Kosovës mori vendim që të pas datës 31 tetor të ndryshojë vendimin për targat, duke mos e shtyrë atë tërësisht.
Kësisoj nga Qeveria është marrë vendim që si fillim serbëve të cilët nuk konvertojnë targat t’u shqiptohen fletëqortime, e më pas të vazhdohet me gjoba.
Por janë pikërisht serbët në Kosovë të cilët kanë vendosur që të jenë në numër të vogël nga ata që ri-regjistruan këto automjete.
Pas kësaj, zhvillime të shumta pati në veri të vendit ku është vendosur të shkarkohet drejtori i Policisë së Mitrovicës së Veriut për sabotim të punës, sa i përket shqiptimit të fletëqortimeve.
Kësisoj, Lista Serbe gjatë të shtunës njoftoi për largim nga institucionet qeverisëse në vend, e pas tyre dorëheqje dhanë rreth 600 zyrtarë policorë duke vazhduar më pas me largimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe.