Ka përfunduar para pak çastesh takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me krerët e opozitës në vend.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas takimit i ka thënë se nuk ka dalë me një siguri të madhe për rrugëtimin e qeverisë në situatën aktuale në veri të vendit teksa ka shtuar se Kosovës në këtë moment i duhen veprime të përgjegjshme.
“Nuk dola me një siguri të madhe se qeveria e di se në cilin drejtim është duke shkuar sepse në fund qëllimi i të gjithëve duhet të jetë mbarëvajtja e rendit publik dhe paqes”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka thënë se Kurtit i ka shprehur qëndrimin e PDK-së se në këtë moment Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë sovranitetin e shtetit.
Sipas Krasniqit kjo situatë mund të shmangej dhe se është përgjegjësi e qeverisë dhe obligim i të gjithëve që Kosova të vendoset si prioritet para çështjeve të tjera teknike.
“Nuk mund të them me siguri cka duhet të bëjë qeveria për të sjellur normalitetin, e kemi një situatë e cila ka mundur të shmanget, duket se kanë sjellë një momentum që ka mundur të shmanget, është përgjegjësi e qeverisë dhe obligim i të gjithëve që Kosova të vendoset si prioritet para një situate tjetër politike aktuale”, ka vijuar ai.
Ai ka thënë ndër të tjera se në këtë takim është diskutuar gjerë e gjatë edhe për procesin e dialogut.
“Ne kemi diskutuar gjerë e gjatë jo vetëm për situatën aktuale, por edhe për procesin e dialogut, ka pasë edhe diskutime për planin franko-gjerman, në vend se të angazhohemi për njohje reciproke, po merremi me tema sporadike e teknike”.