Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj ka reaguar ndaj dorëheqjes së Drejtoreshës për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Vjollca Kabashi.
Ai ka thënë se njoftimin për dorëheqjen e ka parë ne rrjete sociale dhe me këtë rast dëshiron të informoj opinionin publik se si qëndron e vërteta.
Reagimi i tij i plotë:
Të nderuar qytetarë të Komunës së Prizrenit,
Përmes rrjeteve sociale dje u informova se Drejtoresha e Mirëqenës Sociale paska dhënë dorëheqje nga posti i saj i deritanishëm.
Zonjën Vjollca Kabashi e falënderoj për punën që e ka bërë dhe kontributin që e ka dhënë nga emërimi i saj në post që nga Janari e deri me tani.
Meqenëse Zonja në fjale, ka ngritur disa insinuata dëshiroj të informoj opinionin publik se në fakt cila është e vërteta.
Që nga emërimi i saj e deri me dje, performance e tashme ish Drejtoreshës ka lënë shumë për të dëshiruar dhe ka pasur hendek të madh mes asaj çka është pritur nga zonja Vjollca dhe asaj si në fakt ajo ka performuar.
• Kemi pasur deficit serioz në vizion dhe në të kuptuarit e rolit të saj si menaxhere dhe rrjedhimisht pa-aftësi për të menaxhuar dhe organizuar punët në Drejtorinë qe e ka udhëhequr.
• Mungesa e aftësive të mira komunikuese, menaxhimi jo i mire i kohës, sjelljet jo-bashkëpunuese me koleget tjerë Drejtor, dhe me kabinetin e Kryetarit, kanë rrezikuar seriozisht përmbushjen e objektivave dhe detyrave të punës.
Prandaj konsideroj se është me rendësi që opinioni publik në Prizren të informohet drejte rreth çështjes se ngritur:
– Një nga kriteret relevante të vlerësimit të performaces së qeverisje lokale është edhe përqindja e buxhetit të shpenzuar brenda vitit.
– Me ligj duke respektuar procedurat qe e rregullojnë lëminë, lejohet që mjetet financiare në kategorinë “Mallra dhe Shërbime” të transferohen nga një drejtori e cila nuk mund t’i shpenzoj, në një drejtori tjetër.
– Kam kërkuar që Drejtoret të bashkëpunojnë në mes veti dhe ato drejtori që kanë mjete të cilat nuk mund t’i shfrytëzojnë t’i transferojnë tek drejtoria e “Shërbimeve Publike”, meqenëse në atë drejtori ka nevojë për mjete dhe ato do të mund të shfrytëzoheshin.
– Kemi pasur raste që nga drejtoritë tjera, mjetet të kalojnë në drejtorinë e Shërbimeve Publike pa asnjë problem, sepse këtë e lejon ligji.
– Drejtoresha e Mirëqenës Sociale, ka refuzuar të respektoj kërkesën time dhe procedurat që do të mundësonin që mjetet t’i shfrytëzojmë e mos të na shkojnë në suficit, sepse do të kishte ndikim negative në vlerësim të performaces së qeverisjes lokale.
– Zonja në fjale ka ngritur dyshime rreth integritetit të stafit dhe drejtorit të Shërbimeve Publike, dhe fare pa asnjë argument, ka ngritur dyshime edhe rreth integritetit tim si Kryetar i Prizrenit!
– Ju siguroj se insinuatat rreth kinse një pagese të parregullt fare nuk qëndrojnë.
– Procedurat e Thesarit janë shumë rigoroze dhe po qesë diçka nuk do të kishte qenë në rregull, nuk do të ishte e mundur të vazhdohej me finalizim të mjeteve financiare.
– Drejtoresha nëse ka qenë e bindur se pagesa ka qenë e kundërligjshme ka mundur të jap dorëheqje e të mos e nënshkruaj fare!
Të nderuar qytetarë të Prizrenit,
Përgjatë tërë karrierës sime në sektorin publik:
– jam angazhuar për të krijuar vlerë të re,
– gjatë fushatës kam premtuar vlere të shtuar në qeverisje lokale
Si rezultat ditëve të fundit në Prizren kanë ndodhur shumë zhvilime pozitive:
– Votimi i Gjuhës Rome si gjuhë në përdorim zyrtar;
– Vlerësimi pozitiv i KDI-së për performancën e Komunës përfshirë transparencën dhe dëgjimet buxhetore;
– Projekti i rrugës së tranzitit është para finalizimit si dhe shumë projekte tjera.
Prandaj dëshiroj të ritheksoj dhe t’ju siguroj se:
– mungesa e profesionalizmit,
– paaftësia për të realizuar objektivat e qeverisjes lokale,
– mungesa e bashkëpunimit me pjesën tjetër të stafit, përfshirë drejtoret dhe pjesëtarë të kabinetit të Kryetarit nuk do të tolerohet.
Mbrojtja e interesit publik të qytetit të Prizrenit, përmes performances së mirë nuk ka alternative tjetër.
Ju falënderoj për vëmendje!