Deputeti kroat, Domagoj Hajdukoviq, sot i ka sjellë sërish zotimin e shtetit të tij për përkrahjen e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Europës, zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Ai nisi vizitën e tij në Kosovë duke e takuar fillimisht zëvendëskryeministrin Bislimi, me të cilin tha se ka biseduar edhe për rajonin.
“Vizita ime në Kosovë filloi me një takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Ne folëm rreth rajonit dhe ngjarjeve të fundit në Kosovë. E ritheksova zotimin e Kroacisë për mbështetjen e Kosovës në anëtarësimin e saj për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Europës, si dhe për rrugën e saj europiane”, ka shkruar në Twitter deputeti socialdemokrat i Parlamentit të Kroacisë.
Për mysafirin e tij ka shkruar në Twitter edhe Bislimi.
“Faleminderit për bisedën frytdhënëse Domagoj Hajdukoviq. Ne e vlerësojmë lart mbështetjen e Kroacisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Europës dhe rrugën europiane”.
Që kur Kosova e bëri publike se ka aplikuar për anëtarësim në KiE, Kroacia ka qenë e zëshme në përkrahjen ndaj saj. /Gazeta Express/