I dyshuari për sulm seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqi, F.B do të qëndrojë në paraburgim deri në fund të muajit nëntor.
Kjo pasi që Gjykata Themelore në Pejë, me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Pejë, i ka vazhduar edhe për 30 ditë të tjera masën e paraburgimit.
Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësja e Gjykatës në Pejë, Tringa Zhuti.
“Ju njoftoj se i pandehuri gjendet ende nën masën e paraburgimit dhe se Gjykata duke vepruar sipas kërkesës së Prokurorisë ndaj të njëjtit e ka vazhduar masën e paraburgimit deri me datë 29.11.2022”, ka thënë Zhuti.
Sulmi seksual ndaj Nikqit ndodhi më 27 shtator në Pejë, në një hapësirë pranë rrugës kryesore.
Pamjet e xhirimeve të kamerave të sigurisë ku shihet sulmi në fjalë i kishe shpërndarë në “Facebook” vetë viktima e rastit, duke nxitur kështu reagime të shumta në rrjetet sociale.