Qeveria e Kosovës ka shpalosur një plan për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, që do të zbatohet në disa faza. Plani parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.
“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor.
Pas këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës ka reaguar shefi i së ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, që e ka cilësuar si “mashtrim”.
“Çdo lloj krize dhe tensioni në Kosovë dhe Metohi u shmangën vetëm falë sjelljes së matur dhe të përgjegjshme të popullit tonë atje dhe presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, prandaj nuk ka asnjë nënshtrim ndaj mashtrimit që Kurti dhe [zëvendëskryeminstrit të Kosovës, Besnik ]Bislimi po përpiqen të bëjnë, përmes këtij vendimi, duke pandehur se janë të gatshëm të bëjnë kompromis. Kjo sepse, gjithçka që bëjnë, e bëjnë në kuadër të qëllimit afatgjatë të dëbimit të popullit serb nga Kosova dhe Beogradi nuk do ta lejojë këtë”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se qytetarët në veri deri më 31 mars do të mund të përfitojnë lehtësirat tatimore pasi të riregjistrojnë makinat e tyre në RKS. I pyetur se nëse ky vendim nënkupton shtyrje të afatit për targa, ai tha se Kosova nuk e ka shtyrë zbatimin e vendimit, por “ne e kemi përshkallëzuar dhe sekuencuar atë”.
Kurti përsëriti se targat me akronimet serbe për qytetet e Kosovës janë ilegale.
Afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia paraprakisht skadon më 31 tetor dhe Qeveria tha se me këtë vendim të ri ajo po tregon seriozitet për të zbatuar vendimin që ka marrë, por “në të njëjtën kohë që t’u japim shans atyre që janë të interesuar të integrohen”.
Shefi i Qeverisë së Kosovës tha se për planin e ri për targat i ka informuar edhe përfaqësuesit e QUINT-it, me të cilët ka biseduar para mbledhjes së Qeverisë. Pavarësisht se tha që ata fillimisht i kërkuan që të shtynte afatin për riregjistrim, me të dëgjuar për vendimin e ri, thanë se do të tregojnë mendimin e tyre pasi të jenë konsultuar me kryeqendrat e tyre.
Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.
SHBA-ja shpreh zhgënjim me mosshtyrjen e afatit
Por, pas bërjes publike të vendimit të Kosovës, SHBA-ja u shpreh e “zhgënjyer” me mosshtyrjen e afatit për riregjistrim.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë një gjë të tillë nga partnerët ndërkombëtarë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.
Sipas vendimit të mëhershëm të Qeverisë, nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët në veri, që kanë targa të lëshuara nga Serbia, do të mund t’i konvertonin ë ato në RKS- Republika e Kosovës. Pas kësaj date, ekzekutivi kishte thënë paraprakisht se makina me targa të tilla nuk do të mund të qarkullonin në territorin e shtetit e as të kalonin kufirin.
Paralajmërohen barrikada në veri, Kosova thotë se po zbaton ligjin sa u përket targave
Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se vendimi i ekzekutivit do të zbatohet në tërë territorin, duke theksuar se nuk ka nevojë për tensione.
Më 27 tetor, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe zyrtarët serbë, paralajmëruan barrikada në veri, nëse Kosova pas 31 tetorit do të konfiskonte targat dhe makinat e serbëve.
“Ne jemi të interesuar që të gjithë targat ilegale, të dorëzohen, duke shfrytëzuar benifitet që ka ofruar Qeveria jonë dhe nuk duam asnjë përshkallëzim të situatës, ndonëse ajo po provokohet në vazhdimësi nga presidenti i Serbisë, Qeveria serbe dhe veglat e tyre në veri të Kosovës”, tha Sveçla.
Ai shtoi se nga 1 shtatori deri më tash, “nën presion” dhe “sulme”, vetëm 20 serbë kanë riregjistruar makinat e tyre në RKS.
Vuçiq: Shtensionimi i situatës është detyrë kyçe
Vuçiq ka deklaruar më 26 tetor se targat KM (Mitrovicë e Kosovës) do të mbeten edhe pas 31 tetorit.
Besohet se afër 10.000 targa me akronime serbe – sikurse KM, PZ, PR, e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Kosova i konsideron ilegale këto targa që lëshohen nga Serbia.
Më herët, SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të shmangin tensionet dhe të mos përsëriten barrikadat që u ngritën më 31 korrik dhe 1 gusht në veriun e Kosovës.
Atëbotë, në shenjë pakënaqësie për vendimin për targat, por edhe për dokumentin për hyrje/dalje, serbët lokalë bllokuan rrugët.
Prishtina u zotua të shtyjë vendimet për një muaj dhe në ndërkohë, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, Kosova dhe Serbia arritën pajtim për heqjen dorë nga përdorimi i dokumenteve për hyrje/dalje./REL