Rea Gashi do ta përfaqësojë Kosovën në disiplinën karting sllallom, në konkurrencën e femrave, në FIA Motor Sport Games, që kanë filluar dje dhe do të zgjasin deri më-30 tetor në Marsejë të Francës.
Ekipi i Kosovës udhëtoi të martën për në Francë, ndërsa Rea është shprehur e gatshme për këtë sfidë.
“Për mua është hera e parë që marrë pjesë në një garë ndërkombëtare dhe kaq prestigjioze. Do të jetë një përvojë interesante dhe e rëndësishme për karrierën time në të ardhmen”, ka thënë Gashi për faqen zyrtare të FASK-ut.
Pavarësisht konkurrencës së fortë, ajo beson në paraqitje të mirë. “
Që nga momenti kur e kam ditur se do jem unë garuesja që do ta përfaqësoj Kosovën në Francë, jam përpjekur të përgatitem në mënyrën më të mirë të mundshme. Shpresoj të paraqitem mirë, e po ashtu shpresoj që edhe gjenetikisht të marrë diçka nga babi (Gazmend Gashi), duke ditur pasionin dhe karrierën e tij në automobilizëm”, ka shtuar Rea.
Bashkë me të, në Marsejë kanë shkuar edhe Baran Karabeg, Ermira Topalli, Valon Jaha dhe Visar Gjikolli.