Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka thënë se nisma franko-gjermane për dialogun Kosovë-Serbi është një mundësi e mirë për të ecur përpara në këtë proces.
“Për dialogun unë do ta komentoja nismën e re nga ana franceze e gjermane, po shihet që ka përparim të ri është një frymë e re, në të dy anët si në Beograd ashtu edhe këtu në Prishtinë. Njerëzit e kanë kuptuar që është momenti të arrijnë nëse jo një marrëveshje përfundimtare së paku një pako që do të ishte e pranueshme për të dyja palët”, ka thënë Von Cramon.
Ajo ka shtuar se shumë njerëz kanë shkruar për propozimin franko-gjerman dhe është një mundësi e madhe.
“Mendoj që është një rast i mrekullueshëm që të ecët përpara për të dy palët drejt integrimit evropian, e që mendoj se është absolutisht i nevojshëm dhe Kosova si vendi më pro evropian duhet ta përkrah këtë. Është rast i mirë për ta shtyrë Kosovën përpara në agjendën evropiane”, ka thënë Von Cramon, duke shtuar se e përkrahë një marrëveshje që do të ishte e pranueshme.
Raportuesja për Kosovën në PE, ka thënë se para se të shihnim propozimin franko-gjerman ka pasur shumë hapa që ishin marrë si nga Prishtina ashtu Beogradi që ndërlidhen pak a shumë me përditshmërinë siç është njohja e letërnjoftimeve, diplomave dhe shumë gjëra të tjera që lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve.
Sa i përket çështjes së targave ajo ka thënë se ka argumente të mira për ta shtyrë vendimin, por se e kupton edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës që po zbatojnë ligjin.
Duke folur për liberalizimin e vizave, Von Cramon ka thënë se shpreson që të shohim rezultate sa më shpejt.
“Nuk arsyetohet aspak ajo që po ndodh, shpresoj që do të shohim rezultate sa më shpejt pa ndonjë kushtëzim të ri”, tha Von Cramon. /Telegrafi/