Trepça ’89 ka pësuar disfatë në kuadër të xhiros së 12-të kampionale në Superligën e Kosovës në futboll.
“Minatorët” u mposhtën 2:0 nga Ballkani në stadiumin e qytetit në Suharekë.
Trajneri i 89-shit, Shpëtim Idrizi u shpreh i pakënaqur me ndarjen e drejtësisë në takimin e sotëm.
“Mendoj se në pjesën e parë, reaguam mirë dhe u munduam t’i mbulojmë të gjitha hapësirat ku sulmon Ballkani. Këtë e bëmë mirë dhe mendoj se duhet përgëzuar ekipit, ndërsa në të dytën u ndëshkuam herët nga një gabim. Jam i kënaqur me angazhimin, lojtarët treguan karakter dhe nuk u dorëzuan për asnjë moment”, ka thënë ai për Art Sport.
“Nuk është se dua të ankohem për referimin, por u akordua një penallti pas tre minutave. Kjo është e tepërt dhe nuk është hera e parë që po këto gjëra po i ndodhin Trepçës ’89 nga referat, pasi një penallti e tillë u akordua edhe në ndeshjen ndaj Gjilanit”, shtoi tekniku mitrovicas./Demokracia.com/