Ish kryeministri i Kosovës, tash deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, ka renditur disa “veprimet që janë koordinuar me Shtëpinë e Bardhë”, derisa në fund tha se nëse rrezikohet mbështetja e SHBA-së Kurti “do të detyrohet t’i lirojë zyret”.
Në rend të parë ai ka vendosur njohjen nga Izraeli e më pas demarkimin e një pjesë të kufirit me Serbinë.
Pika e tretë, sipas Hotit, është mbështetja për projekte madhore të hekurudhave dhe autostradave.Hoti si pikë të katërt e ka renditur mbështetjen e MCC-së për gaz dhe energji.
“E kemi nënshkruar marrëveshjen për insentiva të investimeve dhe qasje në financa në tregje amerikane; e kemi nënshkruar marrëveshjen për teknologji 5G të sigurt; e kemi kornizuar dialogun vetëm për njohje reciproke, pa cenuar integritetin territorial, pa prekur karakterin unitar të shtetit të Kosovës, si dhe duke mos pranuar asgjë pa u nënshkruar marrëveshja për njohje reciproke”, janë pikat tjera të renditura nga Hoti.Në fund ai ka shkruar se nuk duhet të rrezikohet mbështetja e SHBA-së.
“Mos e rrezikoni këtë mbështetje, sepse do të mbeteni të izoluar si regjimi i Enver Hoxhës. Sigurisht se populli i Kosovës nuk do lejojë që izolimi të vazhdojë. Do të detyroheni të lironi zyrat dhe të dorëzoni mandatin tek ata që e ruajnë dhe avancojnë miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai.