Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar ministrin e Financave, Hekuran Muratin, në seancën e sotme që është duke u zhvilluar në Kuvend.
Sipas tij, Murati nuk di as gjërat elementare të ekonomisë dhe për këtë arsye duhet t’i marrë letrat e të shkojë në shtëpi.
Në seancën ku po diskutohet projektligji për vendosjen e çmimeve tavan në produktet bazë, ai po ashtu e ka cilësuar Qeverinë Kurti si një shtëpi e të paditurve.
“Ka kohë që provoj të kuptoj se si i marrin vendimet këta. E para ministrja e ekonomisë tha çmimi i prodhimit të peletit është 188 euro dhe po shitet 700 euro në treg. Pastaj doli ministri i Financave dhe tha një produkt që vjen 1.20 centë dhe shihet 2.20 centë”.
“Nuk e kupton ministri që në momentin që futet në doganë duhet të paguhen taksa, transporti dhe kosto të tjera”.
“Një ministër i financave si ky sot duhet t’i marrë letrat dhe të shkojë në shtëpi. Një shtëpi e paditur. Ky nuk e di se çfarë është inflacioni prej ditës që ka ardhur në pushtet”.