Komisioni Europian edhe këtë vit rikonfirmoi se kushtet e vendosura ndaj Kosovës për të fituar të drejtën e lëvizjes së lirë në shtetet e zonës Schengen janë të plotësuara. Në ditën kur u mblodh Grupi Punues për Vizat, KE ia dërgoi edhe një vlerësim të ri të përditësuar përfaqësuesve të vendeve anëtare, në bazë të cilit shumë shtete kanë thënë se do të vendosin se a janë pro heqjes së liberalizimit të vizave për Kosovën. Takimi i ri për vizat është paralajmëruar më 9 e 10 dhjetor.
Sipas raportimeve Franca, e përkrahur edhe nga disa shtete të tjera, sërish nxori telashe. Propozimi i saj që procesi i liberalizimit të vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Europë, ETIAS. Derisa një komunikatë zyrtare pas kësaj mbledhje u lëshua nga Presidenca Çeke e Këshillit Europian. S’u tha shumë për përmbajtjen e diskutimit, por u njoftua se është e domosdoshme që të qartësohen edhe disa çështje për të çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën.
Për këto diskutime sërish Komisioni Europian iu përvjel punës për të hartuar edhe një raport shtesë për procesin e liberalizimit të vizave. Këtë e konfirmoi vetë KE në një përgjigje për Gazetën Express.
“Për liberalizimin e vizave, Komisioni i qëndron vlerësimit të korrikut të vitit 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet. Pas votimit në favor të Kosovës të Parlamentit Europian në vitin 2019, propozimi është ende në pritje në Këshill – siç e dini – dhe ne mirëpresim që diskutimet janë gati të rifillojnë. Ne jemi duke mbështetur diskutimet me një përditësim teknik të vlerësimit tonë”, tha një zëdhënëse e Komisionit Europian.
Ky organ i BE-së përsërit se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar drejt rrugës së saj për në Union.
“Raporti i zgjerimit i paraqitur më 12.10.2022 konfirmon se Kosova ka gëzuar stabilitet politik gjatë gjithë vitit dhe autoritetet vazhdojnë të demonstrojnë përkushtimin e tyre në rrugën europiane. Gjatë periudhës raportuese, Kosova ka bërë përpjekje për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe ka intensifikuar luftën kundër korrupsionit”, thuhet më tej në përgjigje.
Muaji nëntor sërish do t’i rrisë shpresat e qytetarëve të Kosovës meqë diskutimet e ardhshme të Grupit Punues për vizat të Këshillit Europian mbahen me datën 9 dhe 10.Për këtë takim foli zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili tha se Kosova është udhëzuar që të përdorë kanalet e veta bilaterale për të diskutuar kërkesat e reja, ashtu që të arrihet konsensus, për të shtyrë përpara procesin në mbledhjen e ardhshëm të grupit punues për viza, që mbahet më 9-10 nëntor të këtij viti.
Ai në ATV ka përmendur se në takimin e 13 tetorit janë shtruar tri çështje kyçe: lidhja e liberalizimit të vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS, harmonizimi i sistemit kosovar të vizave me atë të Bashkimit Europian, si dhe marrëveshja për riatdhesimin e qytetarëve.
Sidoqoftë, Franca, pas këtyre ngjarjeve në Bruksel, në një përgjigje për Express ka deklaruar se Kosova nuk është duke u trajtuar ndryshe nga shtetet e tjera që kanë marrë liberalizimin e vizave kohëve të fundit dhe kanë specifikuar se diskutimet në Bruksel janë duke vazhduar.
Gjithashtu, edhe shteti holandez, që bashkë me Francën është ndër shtetet më skeptike, ishte deklaruar për Express se vendimi për këtë çështje do të merret pas raportit të Komisionit Europian dhe se ajo do të diskutohet edhe në Parlament.