Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ishte e ftuar në ceremoninë e çmimeve “Booker”.
Dua ka mbajtur një fjalim në ceremoninë e “Booker Prize 2022”, shkruan lajmi.net.
Ajo tha se shkrimet e mira “kanë fuqinë t’i bëjë njerëzit të ndihen mirë”.
Çmimi kryesor u fitua nga autori nga Sri Lanka, Shehan Karunatilaka, për romanin e tij “The Seven Moons Of Maali Almeida” dhe u prezantua nga Mbretëresha Camilla.
Në fjalët e saj gjatë aktivitetit, në The Roundhouse në Londër, Dua, vlerësoi shkrimtarin Ismail Kadare, e duke përmendur edhe librin e tij “Kështjella”.
“Është një nder i madh të jesh në mesin e disa prej mendjeve letrare më të mëdha të botës për të folur për një nga kënaqësitë më të thella në botë: leximin e një libri. Leximi është një pasion që ka marrë shumë forma për mua. Ashtu si shumë fëmijë të tjerë të shkollës londineze, obsesionet e mia të hershme përfshinin Roald Dahl dhe Malorie Blackman, të cilët të dy më dhanë perla të vogla urtësie që më udhëheqin edhe sot.”, u shpreh këngëtarja shqiptare.
Dua, gjithashtu tha se puna e Kadaresë e ndihmoi atë “të lidhej me trashëgiminë dhe identitetin e familjes sime si shqiptarë të Kosovës”.
“Mësova për frymën e rezistencës shqiptare, po atë vendosmëri kokëfortë që i mban kosovarët të luftojnë për njohjen ndërkombëtare për pavarësinë tonë sot. Shpesh pyes veten nëse autorët e kuptojnë se sa dhurata na bëjnë. Sot, angazhimet e turneut më çojnë në të gjithë globin dhe jeta është shpesh e tensionuar. Ndonjëherë vetëm për të mbijetuar, dhe në këto momente, janë librat që më qetësojnë. Ne të gjithë duam vetëm të duam dhe të na duan dhe të gjejmë vendin tonë në botë, dhe autorët me të vërtetë na ndihmojnë ta bëjmë këtë.”, ka përfunduar ajo.