Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar vëmendje më të lartë të institucioneve në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, raporton Ekonomia Online.
Në lansimin e fushatës për këtë çështje në Ditën e Bashkimit Evropian për Antitrafikim, e para e shtetit tha se rreth 27 milionë njerëz trafikohen anë mbanë botës.
Sipas saj, edhe Kosova nuk është imune karshi këtij problemi
.“Në kohën kur fenomene të rrezikshme janë bërë të pranishme, atëherë edhe institucionet tregojnë gatishmëri kundër dukurive të tilla. Kjo dëshmon gatishmërinë për t’u përballur me një dukuri të tillë. Trafikim përbën jo vetëm një krim por edhe sfidë të shoqërisë sonë. Duke pasur parasysh edhe krizën në Ukrainë e cila ka cenuar rendin dhe sigurinë, ajo e ka zgjeruar edhe rrugën për trafikim me njerëz”, tha Osmani.
“Trafikimi në Ukrainë është rritur shumë, të cilat miliona gra kanë lënë shtëpitë e tyre e kanë rënë pre e trafikimit me qenie njerëzore. Sikurse dihet se biznese të shumta përfitojnë nga pabarazia sociale, dhe ata e përdorin kategoritë e varfra, të cilët më pastaj pasurohen në mënyrë të parregullt”, tha Osmani.
“Rreth 27 milionë njerëz trafikohen anë mbanë botës. Prej tyre shumë gra trafikohen që për synim kanë dhunimin. Në Kosovë 86 për qind e rasteve të trafikimit janë gra, dhe 60 për qind prej tyre shfrytëzohen seksualisht”, tha Osmani.