“Nuk kemi shumë kohë e madje s’jam i sigurt që i kemi edhe dy vjet kohë për të arritur marrëveshje me Serbinë”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë në “Conflict Zone” në Deutsche Welle, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në pyetjen e Tim Sebastian se “dritarja e mundësisë” po mbyllet dhe se nëse s’ka marrëveshje deri në maj të 2024, çështja e Kosovës mund të hiqet nga tryeza e BE-së, Kurti tha se “marrëveshja duhet bërë sa më shpejtë”.
“A e merrni këtë tërheqje të vërejtjes seriozisht?”, e pyeti Sebastian, Kurtin.
“Pajtohem se nuk kemi shumë kohë, dhe se jetojmë në kohëra rreziku dhe paparashikueshmërie. Prandaj, nuk jam i sigurt as që i kemi dy vjet kohë [për marrëveshje]. Duhet që sa më shpejt ta bëjmë atë. Për këtë, jam gati të angazhohem kreativisht dhe konstruktivisht në këto bisedime në Bruksel kurdo që të na ftojnë”, u përgjigj Albin Kurti në këtë intervistë.
Kujtojmë se Emisari i BE-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajcak, ka kohë që e përsërit se aktualisht ekziston një periudhë kohore pa zgjedhje në Kosovë dhe Serbi dhe se një gjë e tillë është në favor të bisedimeve në mes të dy shteteve të cilat ka vite që po negociojnë drejt një marrëveshje finale.
Këtë ndërmjetësi evropian e tha edhe të enjten gjatë qëndrimit në Prishtinë dhe takimit që kishte me kryeministrin Kurti.
“Ajo çfarë kam thënë disa herë, kemi një kalendar unik që është favor tonin dhe s’jemi ndërprerë nga zgjedhjet, dhe kemi një aleancë unike SHBA-BE që po përkrahet nga Britania e Madhe. Kemi këtë dritare të hapur që zgjat deri kur do të mbahen zgjedhjet në SHBA dhe në BE në vitin 2024”, ka thënë Lajcak të enjten gjatë qëndrimit në Prishtinë.