Edhe pas 6 jave, interesimi për konvertimin e targave në RKS, është tejet i ulët. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të qeverisë, nga 10 mijë vetura që vlerësohet se janë në Kosovë me targa ilegale, vetëm 12 prej tyre i kanë kthyer ato në RKS.
Këtë e kanë bërë të ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Deri më sot janë regjistruar dymbëdhjetë (12) vetura me targa RKS nga targat ilegale KM, GL, PR, PZ”, thuhet në përgjigjen e MPB-së
E këtë mundësi, serbët lokalë me vetura ilegale kanë kohë ta shfrytëzojnë deri në ditën e fundit të tetorit.
Pas kësaj dite, shteti i Republikës së Kosovës do të veprojë siç parasheh ligji.
Veturat me targa ilegale nga kjo datë nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës.
“Siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi, qytetarët të cilët nuk i regjistrojnë veturat e tyre edhe pas afatit të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pike kalimet kufitare. Afati i fundit mbetet data 31 tetor”, thonë për Front Online nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Për këtë çështje të pazgjidhur, e kahmotshme, ka folur për Front Online ish zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.
Ai thotë se shteti i Kosovës duhet të veprojë sipas Ligjit, duke mos lënë ato vetura të dalin në rrugë.
“Natyrisht ato vetura nuk mund të dalin në rrugë pas skadimit të këtij afati. Sepse një veturë pa qenë e regjistruar e siguruar nuk mund të dalë në rrugët e Republikës së Kosovës, sipas ligjeve të vendit, pastaj nuk ka pse të bëjnë përjashtim të atyre veturave të disa qytetarëve në vendin tonë. Kështu që le të vlejë ligji për gjithë territorin e vendit, pa dallim etnie”.
Sipas tij, hezitimi për t’i regjistruar veturat ilegale, është çështje politike.
“Po besoj që është çështje politike, kryekëput politike, edhe me direktiva të qeverisë serbe. Në dukje të parë duket se është çështje teknike e konvertimit të tabelave, por ata, pala tjetër do të thotë po e vlerësojnë që kjo ka të bëjë me njohjen e shtetësisë së Kosovës, dhe po besoj që përkundër vullnetit të qytetarëve që mund të kenë interes për ta regjistruar veturën si çdo qytetarë normal i këtij vendi”, u shpreh për Front Online zëvendësministri Hoxha.
Përveç kësaj, Hoxha thotë se është edhe presioni nga Serbia për serbët lokalë në Republikën e Kosovës.
“Ata kanë presion dhe pastaj është e pamundur dhe janë të paguximshëm për me ndërmarrë një veprim të tillë, siç është konvertimi i tabelave, sepse besoj si njohës i rrethanave të sigurisë, do të frikësoheshin nga ndonjë veprim i strukturave paralele”, tha Hoxha.
Qeveria e Kosovës ka shtyrë një herë zbatimin e vendimit për targat për 30 ditë, pra deri më 31 tetor.
Kosova dhe Serbia më 27 gusht kanë arritur marrëveshje për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e dy shteteve, por jo edhe për targat.