Zyrtari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Frashër Krasniqi, përmes një video ka thënë se Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti po dëshiron të i thotë Këshillit të Evropës “që ne nuk pajtohemi me Shqipërinë”, për Gjykatën Speciale.
Të mërkurën, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Këshillin e Evropës e ka mbajtur një fjalim për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen nga Gjykata Speciale për “krime lufte”.
“Jemi tu e pa angazhimin shumë aktiv të shtetit shqiptar për me hedh poshtë raportin e Dick Marty në të cilin bazohet Gjykata Speciale. Nuk jemi duke e parë as një reagim të Qeverisë së Kosovës, more as me mbështet deklaratën e kryeministrit shqiptar, me i tha bravo çka fole, përkundrazi. Kosova ka hesht, Qeveria Kurti ka hesht, po don me i tha Këshillit Evropës që çka po thotë Shqipëria na nuk pajtohemi, sepse përndryshe e kish bë një lobim”, ka thënë ai.
Në këtë video, Krasniqi e përmendi edhe presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e jashtme, Donika Gërvalla.
“Gërvalla ka deponuar dosje kundër UÇK”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë po ashtu se Kurti para se të vinte në pushtet ka qenë shumë kundër Gjykatës Speciale.