Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka uruar 23 vjetorin e themelimit të PDK-së, duke theksuar se kishte nderin, të ishte në Këshillin nismëtar dhe Kryesinë e Këshillit nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike të Kosovës, për të vijuar rrugës së idealeve më të pastra të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë për Kosovën, nëpërmjet partisë politike e cila e do dhe punon për Kosovën me vetëmohim.
Por, PDK-së në festën e saj, sot i mungojnë atdhetarët e jashtëzakonshëm, themeluesit e UÇK-së dhe të PDK-së, kontribuuesit dhe bijtë më të devotshëm të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Nasim Haradinaj dhe të tjerët. Një gjë duhet ta dinë të gjithë, besojmë në pafajësinë e plotë të udhëheqësve tanë, lufta jonë e drejtë kurrë nuk mund të njolloset, as të rishkruhet historia”, ka theksuar ai.
Postimi i plotë i Lladrovcit:
Anëtarë, simpatizantë e qytetarë të Republikës, urime 23 vjetori i PDK-së!
Para 23 vitesh, posa u kthye nga qendrat evropiane të vendosjes, me rekomandimin që menjëherë UÇK-në të transformohet në parti politike, udhëheqësi i UÇK-së dhe çlirimit të vendit, Hashim Thaçi së bashku me atdhetarët e të gjitha gjeneratave, rininë studentore dhe qytetarë të devotshëm, themeluan Partinë Demokratike të Kosovës.
Kisha nderin, të jem në Këshillin nismëtar dhe Kryesinë e Këshillit nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike të Kosovës, për të vijuar rrugës së idealeve më të pastra të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë për Kosovën, nëpërmjet partisë politike e cila e do dhe punon për Kosovën me vetëmohim.
Sot, duke kujtuar 23 vitet e shkuara, nuk ka si të mos na bie ndërmend se ku ishim në tetor të vitit 1999, në rrënoja, varreza masive dhe kufoma ende të pazbuluara, fusha të minuara dhe shkrumb në të gjitha anët e Kosovës. Me besim, dashuri e përkushtim, me kontributin e PDK-së, u ngrit Parlamenti, Qeveria, Gjyqësia, Policia, Ushtria, u shpall Pavarësia e shtetit dhe thelluam miqësinë me ShBA-në, BE-në dhe shtetet tjera demokratike.
PDK ishte dhe është promotor i çdo avancimi të deritashëm në Republikën e Kosovës për mirëqenien e qytetarëve. Kosova është storje e suksesit, këtë e dinë kontribuuesit që sakrifikuan dhe ndërtuan shtetin me përkushtim, për aq sa mundën dhe lejuan rrethanat, për të vijuar çdo ditë me punë që të bëhet vend më i mirë. “Kosova storje suksesi”, sot, thuhet edhe në OKB, kjo thuhet në NATO dhe BE. Kontributi i PDK-së është thelbësor në tërë këto zhvillime dhe këtë storje të shkëlqyer, nga robëria në liri e shtetndërtim.
Por, PDK-së në festën e saj, sot i mungojnë atdhetarët e jashtëzakonshëm, themeluesit e UÇK-së dhe të PDK-së, kontribuuesit dhe bijtë më të devotshëm të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Nasim Haradinaj dhe të tjerët. Një gjë duhet ta dinë të gjithë, besojmë në pafajësinë e plotë të udhëheqësve tanë, lufta jonë e drejtë kurrë nuk mund të njolloset, as të rishkruhet historia.
Në këtë përvjetor, kujtojmë me nderim, heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, të cilët kanë kontributin e jashtëzakonshëm që ta realizojmë çlirimin me aleatët tanë, të organizohemi e bashkohemi në parti e shoqata, të kontribuojmë për fuqizimin dhe përparimin e shtetit tonë, demokracisë dhe barazisë në Republikës së Kosovës.
PDK është ndër tregimet më të shkëlqyera të demokracisë tonë, të parlamentarizmit tonë, të atdhetarizmit në politikë dhe vizionit për mirëqenien e qytetarëve tanë. Jemi gati të ecim përpara, pa harruar ku ishim dje!
Anëtarë, simpatizantë e qytetarë të Republikës, urime 23 vjetori i PDK-së!