Disa shpërthime kanë goditur qendrën e Kievit mëngjesin e 10 tetorit. Shërbimet e emergjencave thanë se ka të vrarë dhe të plagosur, por nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë të viktimave.
“Disa shpërthime në qarkun Shevçenskivski – në qendër të kryeqytetit”, shkroi në Telegram kryetari i Kievit, Vitali Klitscho.
Ka raportime se edhe qytetet e tjera ukrainase – Dnipro, Lviv dhe Ternopil – janë goditur nga shpërthimet.
Shpërthimet janë dëgjuar rreth orës 08:15, sipas kohës lokale, thanë gazetarët dhe dëshmitarët. Pas shpërthimeve janë dëgjuar alarmet e sulmeve ajrore në mbarë kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.
Sipas dëshmitarëve, shpërthimet duket se ishin rezultat i sulmeve ajrore.
Kjo është hera e parë që Kievi goditet pas disa muajsh dhe shpërthimet duket se kanë ndodhur më afër qendrës sesa sulmet e mëhershme që kanë goditur kryeqytetin ukrainas, qëkur Rusia nisi pushimin e Ukrainës më 24 shkurt, raporton BBC.
Ligjvënësja ukrainase, Lesia Vasylenko, ka postuar fotografi në Twitter që tregon pamjen pas njërit prej shpërthimeve që goditën ndërtesën kryesore të Universitetit Shtetëror të Kievit, që gjendet në qendër të qytetit.
Më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet e fundit ruse ndaj caqeve civile në qytetin jugor të Zaporizhjës – ku u vranë 14 persona, përfshirë dhe fëmijë – ishin akt “i terrorizmit në nivel shtetëror”, që sipas tij, dëshmojnë se negocimi me Rusinë është i pamundur.
“Terrorizmi i vazhdueshëm i Rusisë ndaj popullatës civile natyrisht se është refuzim i negociatave të vërteta”, tha Zelensky përmes një video-mesazhi të publikuar në orët e vona të 9 tetorit. “Terrorizmi në nivel shtetëror është një prej krimeve më të këqija ndërkombëtare”, shtoi ai.
Deklaratat e Zelenskyt erdhën pak kohë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, akuzoi inteligjencën ukrainase për sulmin e fundit ndaj urës që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar ukrainas të Krimesë. Putin tha se Ukraina ka kryer “akt të terrorizmit”.
Më 9 tetor, Putin po ashtu tha se forcat e inteligjencës së Ukrainës kishin pasur për cak të shkatërronin një pjesë kritike të infrastrukturës civile të Rusisë.
Zyrtarët thanë se tri persona u vranë në shpërthimin në Urën Kerç të shtunën.
Ndërkaq, në përditësimin e saj për luftën në Ukrainë, Ministria e Mbrojtjes së Britanisë tha se “forcat ukrainase po vazhdojnë të bëjnë presion ndaj forcave ruse si në verilindje, por edhe në jug, në Herson”.
Megjithatë, inteligjenca britanike tha se Moska po vazhdon të prioritizojë operacionet e saj në lindje të Ukrainës, kryesisht përreth Bahmutit, në rajonin e Donjeckut, ku forcat ruse po vazhdojnë tentimin e tyre për të depërtuar në qytetin që ka pësuar dëme të mëdha nga bombardimet.
Rusia po vazhdon të pësojë humbje, pasi Moska muajin e kaluar njoftoi se për aneksimin e paligjshëm të rajoneve ukrainase të Hersonit, Zaporizhjës, Donjeckut dhe Luhanskut – rajone të pushtuara pjesërisht nga forcat ruse. /Rel