Pas propozimeve të vazhdueshme që Ligji për Pagat të miratohet në Kuvend me procedurë të përshpejtuar, njohësit ligjorë thonë se kjo mund të jetë e pamundur, pasi theksojnë se ende është në konsultime publike.
Ish-ministrja e Arsimit, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka propozuar që Ligji të fillojë të zbatohet nga janari i vitit 2023. Ndërsa, ekspertët theksojnë se me një dinamikë të tillë të punës së Kuvendit, e bën pothuajse të pamundur hyrjen në fuqi të tij në janar të vitit që vjen.
Ligji i Pagave ishte arsyeja që u bë shumë zhurmë në Kosovë, me protesta e greva. Ndërsa, ai është ende në konsultime publike, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka propozuar që Ligji të miratohet deri në fund të vitit me procedurë të përshpejtuar, ndërsa në janar të vitit 2023, të fillojë zbatimi i tij. Por, njohësit ligjorë thonë se kjo është e pamundur, duke parë dinamikën e punës së Kuvendit. Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë për Radio Kosovën se në bazë të praktikave të miratimeve të ligjeve në Kuvendin e Kosovës, pothuajse është e pamundur që ky ligj të hyjë në fuqi në janar, pasi është ende në konsultime publike dhe me vetë faktin se do të ketë grupe të interesit që do të dërgojnë një numër të madh të komenteve në këtë projektligj.
“Kështu që e vështirëson punën që Kuvendi gjatë këtij viti kalendarik ta miratojë të njëjtin. Ajo që është me rëndësi është që Qeveria dhe Kuvendi ta trajtojnë këtë projektligj me seriozitet dhe pas trajtimit me seriozitet brenda një afati sa më të shkurtë kohor, duhet të sigurohen që i njëjti të jetë në pajtim me parimet bazë të sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë, Kushtetutës, në mënyrë që pastaj të mos kontestohet apo të mos kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Miftaraj.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radio Kosovën se ligjërisht dhe proceduralisht ka mundësi që miratimi i Ligjit për Pagat të bëhet me procedurë të përshpejtuar. Por, sipas tij, është vështirë e besueshme që me një dinamikë të tillë të punës, ky Projektligj të shkojë në Kuvend dhe të shqyrtohet në dy lexime, që e bën pothuajse të pamundur hyrjen në fuqi të tij në janar të vitit 2023.
“Duke pasur parasysh kompleksitetin e vetë Ligjit në fjalë, numrin e madh të akterëve që do të duhej të konsultoheshin para miratimit të tij, edhe nga ana e Kuvendit të Kosovës, pra nga komisionet përkatëse, apo edhe në organizimin e dëgjimeve publike, është vështirë e besueshme që me një dinamikë të tillë të punës së Kuvendit, ky Projektligj të arrijë që të sillet dhe të shqyrtohet në dy leximet nga ana e Kuvendit, duke i ndjekur procedurat standarde deri në fund të këtij viti, që e bën pothuajse të pamundur hyrjen në fuqi të tij në janar të vitit 2023. Përveç nëse ekziston një lloj dakordimi ndërmjet subjekteve politike, që nuk do të ketë shumë dëgjime publike apo forma të tjera të përfshirjes së qytetarëve, para se i njëjti të futet në votim e të miratohet nga deputetët”, ka thënë Cakolli.
Rregullorja e Punës së Kuvendit përcakton që ky Projektligj i cili do të shkojë në Kuvend pas përmbylljes së procedurave të dëgjimeve publike dhe konsultimeve të tjera që i bën Qeveria, mund të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar, por jo më herët se 48 orë dhe jo më vonë se 72 orë nga dita e miratimit në parim. Procedimi i projektligjeve me procedurë të përshpejtuar tashmë është e rregulluar me rregulloren e re të punës së Kuvendit. Cakolli, theksoi se ligjërisht është e mundur dhe të ndryshohet neni përkatës i Ligjit, i cili përcakton që ai duhet të hyjë në fuqi pas tetë muajsh dhe të bëhet pra siç është procedura standarde, qoftë pas 15 ditësh apo brenda 30 ditësh apo një periudhë më optimale, duke përfshirë këtu edhe përcaktimin e një date të veçantë pra, 1 janari i vitit 2023.