Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini i ka shkruar letër Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci lidhur me vendimin për kompensimin e orëve të humbura të mësimit gjatë grevës së mësimdhënësve.
Gjini i ka propozuar ministres një formë të re të kompensimit të orëve të humbura, meqë siç ka thënë ai kompensimi i orëve të humbura gjatë fundjavës dhe ditëve të pushimit do të ishte i lodhshëm për fëmijët.
Ndër të tjera, si arsye ai ka përmendur edhe faktin se zëvendësimi i këtyre orëve në këtë formë do të shkaktonte kosto të përballueshme për Komunën e Gjakovës, duke pasë parasysh koston e ngrohjes, që këtë vit pritet të jetë shumë më e lartë se viteve të tjera.
Postimi i plotë:
ORËT E HUMBURA TË MËSIMIT DUHET TË KOMPENSOHEN GJATË DITËVE TË PUNËS JO NË FUNDJAVË DHE GJATË DITËVE TË PUSHIMIT
Ministria e Arsimit duhet ta ndryshojë vendimin për kompensimim e orëve të punës të humbura gjatë grevës.
Orët e punës duhet të kompenzohen, por jo gjatë fundjavës dhe ditëve të pushimit.
Fillimisht, fëmijët do të stërlodhen. Edhe familjet e tyre.
Së dyti, për shkak të pasigurisë që na pret si pasojë e krizës energjetike, shpenzimi i energjisë do të jetë shumë më i lartë dhe me rrezik të pamundësisë për t’i ngrohur shkollat.
Edhe bartja e nxënësve, që është obligim ligjor i yni, do të jetë më e vështirë për shkak të çmimit të karburantit.
Prandaj orët duhet kompenzuar gjatë ditëve të punës, pesë orë shtesë në javë për çdo klasë dhe nxënës deri në kompensimin e plotë.
Për këtë, dje ia kam dërguar një letër ministres së arsimit dhe nuk kam marrur përgjegje.