Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka bërë të ditur se në adresë të komunës që ai e drejton ka shkuar padia e parë për mosekzekutimin e pagave për arsimtarët.
Rast konkret, Lladrovci ka thënë se është ai i një lehone të cilës nuk i është ekzekutuar paga, shkruan Reporteri.net.
“Sapo u njoftova se filluan paditë e para kundër komunës së Drenasit me rastin e ndalesës së pagave ndaj mësimdhënësve edhe pse ndalesa është bërë nga Thesari i Ministrisë së Financave, mirëpo, mësimdhënësit kanë kontrata të lidhura me Komuna, e aq më keq, në rastin konkret, është ndaluar paga një lehone”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka thënë se është i shqetësuar nga një situatë e tillë dhe ka bërë thirrje ndaj Qeverisë që të gjej zgjidhje për ekzekutimin e pagave.
“Unë si kryetar komune po e përcjell me mjaft shqetësim një situatë të tillë, në të njëjtën kohë i bëj thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës, rrjedhimisht Ministrisë së Financave që të gjej zgjidhje dhe të bëj ekzekutimin e pagave për të gjithë mësimdhënësit, në të kundërtën do të kemi ngarkim të sistemit gjyqësor, rrjedhimisht dëmtim të buxhetit nga shpenzimet procedurale nëpër gjykata”, ka përfunduar Lladrovci.