Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (SBAShK) ndonëse ka ndërprerë grevën ka paralajmëruar se orët e humbuar nuk do të zëvendësohen.
Në lidhje me këtë çështje drejtori i instituti “EdGuard”, Rinor Qehaja tha se më me rëndësi është që procesi mësimor ka filluar dhe se zëvendësimi i orëve të humbura i takon komunitetit të shkollës të dakordohen.
Mirëpo sipas tij, nëse orët e humbura nuk zëvendësohen atëherë do të pengohet viti mësimor duke shtuar se 10% e planit ka humbur.
“Me rendësi që procesi mësimor ka filluar, debati për zëvendësim nuk është me prioritet tani, është diçka që u takon komunitetit të shkollës që me mirëkuptim të akordohen për ato datat me të mira që domosdoshmërish na kompensojmë orët e humbura”.
“Rikujtoj që në tërësi këta muaj të grevës na përbëjnë 10% të plan-programit mësimor të humbur, i cili nëse nuk zëvendësohet pengon vitin mësimor”, tha Qehaja.
Ndër të tjera Qehaja shtoi se është i bindur që komuniteti i mësimdhënësve është i vetëdijshëm që orët duhet të zëvendësohen.
“Jam i bindur qe komuniteti i mësimdhënësve është i vetëdijshëm për zëvendësin e orëve. Vendimi për mos zëvendësim mund të vije si sugjerim nga kryesia, por besoj shumë në pavarësinë e secilit komunitet të shkollave për të vendosur vet për modalitetet e zëvendësit të orëve, kjo edhe si praktikë nga e kaluara”, tha Qehaj.
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) i ka bërë thirrje sot Qeverisë që të procedojë me pagat e mësimdhënësve.
AKK thekson se me kujdes po përcjell situatën duke pranuar shqetësimet e Komunave, Kryetarëve të Komunave dhe Kolegjiumit të Drejtorëve Komunal të Arsim, për mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MPFT).
“Bordi rithekson se Komunat janë punëdhënëse e përgjegjëse për vijueshmërinë në punë dhe përgjegjëse për ndalesat eventuale sipas legjislacionit në fuqi. MFTP-ja është vetëm ekzekutuese e pagesave, jo edhe ndërmarrëse e veprimeve të njëanshme pa asnjë vendimmarrje të punëdhënësit, në këtë rast Komunave.
Kjo qasje e nivelit qendror është në kundërshtim me praktikat e deritanishme të bazuara në ligjet pozitive në Kosovë. Deri më tani, në asnjë rast nuk ka ndodhë të kemi ndalesa të pagave të punëtorëve të asnjë sektori me të cilin menaxhojnë komunat, pa veprimin ligjor paraprak të vetë punëdhënësit”, thuhet në reagim.
Bordi i AKK-së i bën thirrje Qeverisë të veprojë urgjentisht në procedimin e pagave sipas akteve ligjore në fuqi dhe të praktikuara deri tani.
“Komunat e Kosovës, padrejtësisht edhe kësaj radhe po goditen në këtë garë të panevojshme ku humbësit më të mëdhenj janë nxënësit e Kosovës.
Mos ekzekutimi i pagave është qasje e panevojshme dhe nuk shkon në dobi të stabilizimit të procesit arsimor”, thuhet ndër të tjera në reagim.