Deputetja e Grupit Parlamentar 6+, Duda Balje, ka deklaruar se kohëve të fundit ka shumë mospajtime me Qeverinë e Kosovës, ku edhe bën pjesë në koalicionin qeverisës.
“Kohëve të fundit unë kam dalë kundër qeverisë disa herë, nuk jam kundër qeverisë por se nuk mendoj sikur ta në disa raste. Për bashkëpunim duhet me gjetë një mes dhe të ketë respekt”.
Balje, u deklarua për një kalim të mundshëm në Grupin Parlamentar të LDK-së, teksa ditë më parë takoi edhe të parin e partisë, Lumir Abdixhiku.
“E kam takuar Abdixhikun bashkë me partinë time, bile kemi pas takim shumë të mirë dhe konstruktiv ku kemi diskutuar për problemet me të cilat po përballet vendi. Unë e respektoj LDK-në shumë si partinë më të vjetër në Kosovë dhe si komunitet me ta kemi kaluar gjithmonë mirë në qeveritë të cilat ka udhëhequr LDK-ja”, deklaroi ajo për Klan Kosova.
Mirëpo, menjëherë pas takimit me Abdixhikun, Balje kishte deklaruar se nuk kishte biseduar me kreun e LDK-së për aderim në parti.
“Jo, aspak nuk kemi fol për largimin nga koalicioni qeverisës. Kemi folë vetëm për çështje prioritare politike të cilat ne i kemi sot, kemi fol për bashkëpunim. Kemi pas një takim shumë të mirë, shumë transparent. Kalimi në LDK nuk ka qenë temë”, deklaroi deputetja për lajmi.net.
Tutje, Balje, bëri të ditur se për shkak se janë komunitet duhet të bashkëpunojnë me partitë e vendit dhe se në vazhdim do të ketë takime edhe me partitë tjera, përfshirë edhe PDK-në.