Shefi i SpaceX dhe ai i Starlink, Elon Musk, ka bërë një sondazh në llogarinë e tij në Twitter mbi propozimet e tij për një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.
Përgjigja nga vendi i shkatërruar nga agresioni rus, Ukraina, qe i shpejtë dhe armiqësor.
Ai e ka hapur një anketë në llogarinë e tij në Twitter duke propozuar që të mbahet një referendum se me kë duan që të jenë këto dy territore, me Ukrainën apo Rusinë.
“Le ta provojmë këtë: vullneti i njerëzve që jetojnë në Donbas dhe Krime duhet të vendosë se a janë pjesë e Rusisë apo Ukrainës”, ka shkruar ai, transmeton Klankosova.tv.
Rezultatit i dha një shtytje të madhe edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili pyeti 6.6 milionë ndjekësit e tij se cilin version të Musk e përkrahin, “atë që mbështet Ukrainën” apo “atë që mbështet Rusinë”.
Sondazhi mori më shumë se 1 milino vota, ku mbi 83 për qind e atyre që u përgjigjën, normalisht, mbajtën anën e Ukrainës.
Musk, i cili nuk ka një përvojë formale në marrëdhëniet ndërkombëtare apo diplomacinë, u akuzua në Twitter për promovimin e një marrëveshje paqeje pro-ruse.
Dhe ai shtoi se duke qenë se Ukraina nuk ka gjasa ta mposht Rusinë “në luftë totale”, atëherë “nëse kujdeseni për njerëzit jashtë Ukrainës, kërkoni paqen”, shkruan The Independent, transmeton Klankosova.tv.
Që nga fillimi i pushtimit rus, një nga kompanitë e Musk ka luajtur një rol kritik në ofrimin e aksesit në internet për forcat ukrainase në fushën e betejës dhe për qytetarët e saj në të gjithë vendin.
Rrjeti Starlink i satelitëve të SpaceX-it që transmetojnë internet ka ndihmuar në mbajtjen e Ukrainës të lidhur gjatë gjithë konfliktit.
Vetëm dy ditë pasi tanket ruse kaluan në vend në shkurt, Mykhailo Fedorov, zëvendëskryeministri i Ukrainës i postoi në Twitter drejtpërdrejt Musk, duke i kërkuar atij të dërgonte pajisje Starlink.
“(Elon Musk) ndërsa ju përpiqeni të kolonizoni Marsin – Rusia përpiqet të pushtojë Ukrainën! Ndërsa raketat tuaja zbarkojnë me sukses nga hapësira – raketat ruse sulmojnë njerëzit civilë ukrainas! Ne ju kërkojmë t’i siguroni Ukrainës stacionet Starlink dhe t’u drejtoheni rusëve të arsyeshëm që të qëndrojnë në këmbë”, shkroi Fedorov në Twitter, përcjell Klankosova.tv.
Vetëm disa orë më vonë, Musk u përgjigj se “shërbimi Starlink tani është aktiv në Ukrainë. Më shumë terminale gjatë rrugës.”
Dhe dy ditë pas kësaj, politikani postoi një foto të dërgesës së parë që mbërriu në Ukrainë.
“Starlink – këtu. Faleminderit, (Elon Musk)”, shkroi Fedorov në Twitter.
Vetë Zelensky e ka lavdëruar Starlink për rolin e saj në mbajtjen e Ukrainës të lidhur me pjesën tjetër të botës dhe për parandalimin e Vladimir Putinit që ta heshtë atë.
Kujtojmë se Musk e ka përmendur rastin e pavarësisë së Kosovës kur ka folur për gashishullin dhe krahinën ukrainase të Krimesë dhe Donbasit.
I pyetur nga një ndjekës se a po tenton ta legjitimojë pseudorefendumin që ndodhi nën kushte persekutimi, tortura dhe ekzekutime, Elon Musk sugjeroi që votimi të zhvillohet nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara.
Më pas ai e ka sugjeruar një qasje të ngjashme për këto territore siç ishte bërë me Kosovën, por pa e elaboruar më qartë se çfarë donte të thoshte me këtë.
“Ndoshta një qasje të ngjashme si me Kosovën?” ka shkruar Musk dhe ia ka bashkëngjitur artikullin e Britannica për “vetëshpalljen e pavarësisë nga Kosova”.