Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i ka shtruar disa pyetje qeverisë lidhur me menaxhimin e krizës energjetike.
Ai ka thënë se qeveria duhet të informojë qytetarët se sa pritet të ketë prodhim të energjisë në KEK dhe sa duhet të ketë import gjatë dimrit.
“Kaosi në menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e ka rritur panikun tek qytetarët. Një qeveri e përgjegjshme duhet të informojnë qytetarët në detaje:- sa pritet të jetë prodhimi i energjisë nga KEK-u gjatë dimrit,- sa duhet importuar energji për të plotësuar kërkesën vendore,- sa buxhet duhet ndarë për import të asaj energjie, – a mund të lidhen tani kontrata për blerje të energjisë,- sa energji i kemi dhënë Shqipërisë deri më tani në mënyrë që të marrim nga ta gjatë dimrit,- sa buxhet duhet ndarë për kompanitë e energjisë në mënyrë që rritja e faturave të energjisë të jetë e përballueshme për familjet,- sa buxhet duhet ndarë për subvencionim të energjisë për familjet në asistencë sociale,- çfarë mund të bëhet bashkë me komunat për familjet e tjera më në nevojë për mbështetje”, ka shkruar ai.
Hoti ka thënë se qeveria Kurti nuk ka ide se me çfarë do të përballen qytetarët dhe u tregojnë japonezëve se sa ka qenë rritja e ekonomisë në Kosovë.
“Këta nuk kanë ide se me çfarë do të përballemi. Kujtojnë se me ta nis historia dhe e nisin nga e para strategjinë e energjisë. Tregojnë dogma para partnerëve ndërkombëtarë. U tregojnë japonezëve sa ka qenë rritja në Kosovë dhe i ftojnë të investojnë, por në anën tjetër në media ndërkombëtare e përmendin çdo ditë mundësinë për luftë në Kosovë. E anulojnë projektin strategjik të gazit për inate politike, i cili për tri vite do të shtonte kapacitet energjetike”, ka shkruar Hoti.