Kryeministri Albin Kurti në seancën e Kuvendit ka replikuar me deputetët e opozitës sa i përket qeverisjes së tij dhe ikjes së mjekëve dhe infermierëve në Evropën perëndimore.
Kurti tha se është e vërtetë që profesionistët shëndetësorë po largohen nga Kosova, por shifrat e atyre që largohen janë më së shumti nga sektori privat raporton Gazeta Express.
“Sa i përket ikjes së profesionistëve dhe punëtorëve në Kosovë, është e vërtetë se është problem i madh dhe besoj se arsyeja kryesore e migrimit të pasluftës është mungesa e arsimimit dhe tregut të punës. Emigrimi në Kosovë është pasojë e hendekut të shkathësive mes tregut të punës dhe aftësimit profesional. Numri i atyre që shkojnë është nga sektori privat, që përbëjnë 80% të fuqisë punëtore. Pagat janë më ulëta në sektorin privat dhe kushtet më të padinjitetshme të punës janë në sektorin privat. Pa e rregulluar sektorin privat vazhdimisht do të ikin njerëzit. Unë e di se po ikin mjekë e infermierë por pjesa më e madhe po ikin nga sektori privat”, tha ai.
Kryeministri Kurti u tha deputetëve të opozitës se kurdo mund të diskutojnë për qeverisjen që udhëhiqet nga ai.
“Mund ta bëjmë kur të doni një diskutim për qeverisjen tonë e marrim vesh a është mëngjes, mesditë apo mbrëmje. Me lejoni tua përkujtoj që javën e kaluar i kemi bërë një vit e gjysmë qeverisje dhe nevojiten edhe gjysmë viti për t’u bërë gjysmë mandati”, tha ai.
Teksa foli edhe për përplasjen verbale mes ministrit Murati dhe deputetit Haradinaj, Kurti tha se s’ka nevojë t’i dalë në mbrojtje ministrit të tij sepse ai e mbron veten.
“Isha dëshmitar i ndërprerjes së fjalës së deputeti Haradinaj, por nuk kishte ofendim. Meqë nuk dëgjohej unë dola ta sqaroj, jo ta marr në mbrojtje ky e mbron veten”, u shpreh Kurti.